Policia e Kosovës gjatë natës së kaluar dhe mëngjesit të sotëm në Merdare dhe pikat e tjera kufitare me Serbinë, ka lëshuar një dokument shoqërues për udhëtarët që hyjnë në Kosovë me letërnjoftime serbe.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njofton se përveç në Jarinje dhe Bërnjak, në pikat e tjera kufitare po vazhdon lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje.
Deri më tash, janë lëshuar 1501 dokumente në pikat kufitare, njofton ministri.
“Përveç në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të zhvillimeve të shkaktuara nga strukturat ilegale serbe, në të gjitha pikat tjera kufitare në hyrje të Republikës së Kosovës po vazhdon lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje”, tha Sveçla.