Shkruan Avni Rudaku
Shpejtësia e veturave, shqetësimi kryesor në Gjilan
Në një takim që kisha për të adresuar shqetësimet e lagjes sime bashkë me disa fqinj, problemi numër një sipas Drejtorit të Shërbimeve Publike, është tejkalimi i shpejtësisë dhe kërkesa për vendosje të policave të shtrirë, pengesave, gungave. Ka edhe të atillë, që gungat u japin zhurmë, shtëpive që janë direkt me pengesat. Pse vozisin aq shpejt në Gjilan?
1. Sepse ka dështuar policia. Falin shumë. Kanë të njohshëm. Ose: nuk kanë strategji harte ku vozitet më së shpejti, analizë, intervenim.
2. Për disa fëmijë të familjeve të pasura, gjobat janë të ulëta.
3. Qytetarët janë të zemëruar, sepse në zemërim flitet shpejt, ngaset shpejt.
4. Shpejtësia krijon vëmendje sociale. Me dashtë shpejtësinë, pse e rrit shpejtësinë para lokaleve ku po ka shumë klientë të ulur në karrige, jashtë, e jo në rrugë periferie kah ka biznese për material ndërtimor, elektrik, sanitar etj.?! Kjo nevojë vjen nga rënia e vetëbesimit, vetëvlerësimit, vetërespektit.
5. Shpejtësia është kënaqësi, sidomos kur nuk gjen kënaqësi diku tjetër.
6. Shpejtësia është mënyrë komunikimi me vajzat tërheqëse, dhe më pak, anasjelltas.
7. Shpejtësia lidhet me mungesë teknologjie të avancuar në vendbanime, për gjoba.
8. Ka një lidhje të thellë të atyre që vozisin shpejt me sistemin e policisë, për të falur dënime, ose shqiptime të lehta, për shkak të lidhjeve miqësore, farefisnore dhe provinciale.
9. Prindërit ua blejnë veturat e shtrenjta fëmijëve, duke e nxitur direkt dhe indirekt shpejtësinë te fëmijët. Më tregoi një rast një mërgimtar, për ditëlindje, babai ia kishte blerë një Ferrari.
10. Shpejtësia është njoftim publik për veturën që ka shoferi, për veturën e fundit që e ka blerë, për statusin e tij social e kulturor.
11. Mungesa e pistave për shoferët me pasion shpejtësinë e palimituar, ose sporte ekstreme.
12. Shpejtësia e makinës, nga disa krijon zhurmë dhe zhurma jep alarm për ekzistencën e tij në komunikacion rrugor.
13. Vozitet shpejt, sepse shoferi e ka në veturë dikë brenda makinës, o për ta trembur (prank), o për t’ia treguar zotësinë në drejtimin e automjetit (aftësi personale), o për të treguar cilësinë e veturës (mburrje për makinën), o i ndikuar nga një këngë që i kujton romancë, dhembje për prindërit a shokët e vdekur (muzika si stimulim), o nën ndikim alkooli, droge, o ka humbur në kazino, o nuk i ka gjetur dikush para huazim dhe i vjen inati, o i ka thënë dikush “jo”, e ka refuzuar për diçka, o e ka kompleksin e “penisit të vogël” a “peniskali”, o “sisëvogël”, o “sisëmadhe e sisërëndë”, “flat ass”, o “shtatshkurtër”, o “shtatgjatë, zgatarran”, o kompleks për do shenja në lëkurë, o si shenjë e agresivitetit, o i ka ardhur sms-i për këstin mujor që është vonuar…
14. Në Gjilan kemi shumë mërgimtarë nga Zvicra, Gjermania. Të Zvicrës vozisin më shpejt, sepse atje ka më shumë rini; kanë emigruar jo veç të bëjnë para, por edhe makina të shtrenjta; kanë veturat më të shtrenjta se të Gjermanisë; të Gjermanisë kanë autostrada pa limite shpejtësie, kurse të Zvicrës, kanë gjoba më të mëdha, vend i vogël, më shumë kufizime shpejtësie, shtet më “policor” etj.
15. Kur mërgimtarët vijnë për pushime në Gjilan, duan edhe të shpartallohen nga kufizimet e shumta të shtetit ligjor në Zvicër. Krejt jeta “robotike”, “strikte”, në Zvicër, ka nevojë për një shpartallim të përkohshëm në vendlindje, ku këtu ka më pak shtrëngesa. Prandaj, disa prej mërgimtarëve vozisin shpejt, sepse e llogarisin si “çlirim” nga shtrëngimet e shumta në Zvicër.
16. Shumë mërgimtarë, ua japin veturat e tyre të shtrenjta, familjarëve në Kosovë. Prandaj, shoferët kosovarë me makinat e mërgimtarëve, vozisin shpejt, për t’i treguar bashkëvendasve që po vozisin vetura të shtrenjta, për të bërë mahi, për t’u komentuar në fshat e në qendër etj.
…