Policia e Kosovës vazhdon t’i shtojë kapacitetet operuese. Ky institucion ka blerë dhjetë qenë zyrtarë nga Kroacia, të cilat kushtuan rreth 54 mijë euro.
Dhjetë qentë për njësitin “K9” kushtuan 54 mijë euro ndërsa ushqimi për ta mbi 20 mijë euro.
Qentë zyrtarë në kuadër të Policisë së Kosovës do të shtohen në numër.
Kjo meqë është nënshkruar kontratë me një kompani kroate për furnizim me 10 qenë.
“Çmimi për 10 qentë është 50 mijë euro (5 mijë euro për secilin qen) dhe 4 mijë euro për transport. Pagesa do bëhet në bazë të numrit të qenve që përzgjidhen për t’u blerë, por jo më shumë se 10, nga autoriteti kontraktues (policia e Kosovës)”.
Si veprim të vonuar e konsideron njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, duke marrë parasysh rëndësinë e njësitit policor.
Këta qenë priten të jenë nën patronatin e njësitit “K-9” të Policisë, e cila aktualisht ka rreth 50 të tillë.
Ata përdoren për zbulimin e lëndëve narkotike, hetimit të vendit të krimit e përndjekjes së të dyshuarve. Por, shteti shpenzon sërish për ta sa i përket mirëmbajtjes.
12 mijë kilogramë ushqim special për ta, i kushtoi kuletës së shtetit afro 24 mijë euro.
Njësiti “K-9”, u themelua në vitin 2002, ku në fillet e tij kishte vetëm 7 qenë zyrtarë.
Kronika e gazetares Florijeta Dernjani./Tëvë1/