Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, që tha se kanë miratuar 87 ligje.
Hoti ka thënë se kjo Qeveri nuk ka miratuar ligjin për rishikim të buxhetit për vitin 2022, për të cilin tha se mungesa e rishikimit të buxhetit do të ndikojë negativisht në shpenzimet kapitale dhe në ekonomi, punësim e të ardhura.
Shpenzimet kapitale në gjashtë muajt e parë të vitit janë në nivelin më të ulët historik, me vetëm 11% realizim. Prandaj, ka qenë e domosdoshme të rishikohet buxheti për ta rishpërndarë në projekte që mund të realizohen”, tha Hoti.
Ai më tej u shpreh se me këtë dinamikë të realizimit të buxhetit për gjashtë muajt e parë zbatimi i projekteve kapitale do të jetë shumë i ulët.
“Kjo do të nënkuptojë qindra miliona mungesë në qarkullimin ekonomik në vend, që do të ndikojë negativisht rritjen ekonomike, punësimin dhe të ardhurat e përgjithshme”, shkroi Hoti në Facebook. /Zëri