Komuna e Prishtinës ka ndaluar përdorimin e trotinetëve dhe biçikletave elektrike nëpër sheshet dhe hapërsirat publike të kryeqytetit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se, nga 15 gusht 2022, do të ndalohet qarkullimi me trotinetë, biçikleta dhe me të gjithë mjetet motorike elektrike nëpër sheshet dhe hapësirat publike të kryeqytetit.
Këtë i pari i komunës e ka bërë të ditur sot përmes një postimi në Facebook.
Kjo urdhëresë do të hyjë në fuqi prej të hënës, më 15 gusht 2022, deri në votimin dhe publikimin e rregullores në të cilën janë duke punuar për të siguruar mbarëvajtjen e qarkullimit të këtyre mjeteve sa i përket sigurisë së qytetarëve të Prishtinës, e veçanërisht sigurisë së fëmijëve.
Në Prishtinë shumë qytetarë janë ankuar, se po ndihen të rrezikuar nga mosrregullimi i qarkullimit të personave me trotinete elektrike.
Madje, në disa pamje të publikuara edhe në RTK, ditë më parë, shihen edhe raste kur me trotinete barten edhe fëmijë të vegjël pa asnjë mjet mbrojtës dhe në mesin e makinave në rrugë.
Për këtë, Komuna e Prishtinës, para pak ditësh, ka premtua se do të gjejë së shpejti një zgjidhje.
Drejtori i shërbimeve publike në komunën e Prishtinës Ilirik Musliu, para disa ditësh ka paralajmëruar, për RTK-në, se ligji i transportit nuk e trajton këtë mjet, derisa thotë se kjo drejtori ka punuar në një draft final që pritet të votohet.
“Po mundohemi me menaxhu këtë situatë përmes rregullores e cila shumë shpejtë do të del me draftin final dhe presim me u votua në kuvendin komunal dhe me pasë mbështetje të nivelit nacional…. ne po e shohim që është një dukuri të cilën duhemi me e trajtu sepse po e shohim që është emergjente ka shumë përdorues”, ka thënë ai, për RTK.