Shkruan: Samir Berisha
Në bazë të ligjeve ekzistuese komunat nuk obligohen të ndajnë bursa për studentë në shkollimin e lartë – universitet, komuna ka për detyrë t’u siguroj nxënësve shkollimin, të organizoj, të menaxhoj, të kujdeset, t’i mbështesë të gjithë nxënësit e komunës deri në shkollimin e mesëm të lartë. Parimisht t’i mbështesësh edhe në shkollimin e lartë studentët e komunës tënde nuk ka asgjë të keqe, por nuk e ka për obligim pasi për ndarje të bursave në shkollimin e lartë është kompetente qeverisja e nivelit qendror – Ministria e Arsimit në këtë rast.
Nga njëra anë, praktika e komunës së “varfër” që t’u ndaj bursa çdo vit studentëve në shkollimin e lartë duhet të ndryshohet, sepse parasë gjithash kjo praktikë mendoj se është politike. Po e përmend një fakt; prej se mbaj mend komisioni për ndarjen e bursave është në përbërje të përfaqësuesve të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal. Andaj, nëse kjo praktikë e bursave vazhdohet edhe në vitet tjera, të paktën komisioni duhet të jetë i pavarur nga politika ose të jetë nga ekzekutivi.
Deri sa mendoj ndryshe po shpreh edhe mendimin tim alternativ për bursat të cilat mendoj se komuna duhet t’i ndajë në dy kategori:
Kategoria e parë-bursa, duhet të jenë nxënësit e komunës tonë, qoftë të formës mbështetëse apo stimuluese për drejtimet e shkollave profesionale apo forma të tjera që vet komuna i planifikon. Nuk do të ishte keq nëse komuna shpërblen me një shumë të caktuara disa nxënës të cilët arrijnë rezultate të larta në gara lokale, rajonale, kombëtare apo edhe më gjerë.
Kategoria e dytë-subvencione, si komunë mund t’a bëjmë identifikimin e nxënësve me aftësi e talente të larta në lëndë/fusha deficitare dhe t’i mbështesim-subvencionojmë për në shkollimin universitar, në veçanti ata nxënësit që nuk kanë mundësi/kushte ekonomike. Kësaj kategorie kryesisht të shkencave ekzakte dhe të shkencave të natyrës mendoj se komuna duhet t’u dal në ndihmë me bursë të plotë. Kjo formë (ndryshe) të paktën mund të jetë më e mirë se kjo praktikë e ndjekur deri më tani, qoftë edhe nëse vetëm 20/30 studentëve me talente u del në ndihmë komuna do të ishte diçka shumë e mirë. Më mirë cilësi, se sasi.
Unë nuk e kuptoj se ku është logjika që t’i ndahet bursë komunale një studenti i cili ndjek një program në të cilin ka mbi 100 të diplomuar dhe të cilët presin me vite t’u vije radhe për t’u punësuar. Kjo i bie të bëhen 101 plus…!!!