Në të gjitha pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit ka vendosur njoftimet për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Këto njoftime u vendosën pas marrëveshjes për letërnjoftime mes dy vendeve, e ku thuhet se “lejimi i përdorimit të kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe se kjo nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, raporton Zeri.info.
Në ato njoftime gjithashtu theksohet se “përdorimi i kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për devijim nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Deklaratat janë postuar një ditë para fillimit të regjimit të ri dhe janë dygjuhëshe – ato janë të shkruara në serbisht dhe anglisht.
Të shtunën, më 27 gusht, BE-ja njoftoi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për dokumentet e identitetit, sipas së cilës Serbia është pajtuar që të mos i detyrojë shtetasit e Republikës së Kosovës të marrin një dokument në hyrje i cili zhvleftëson dokumentet identifikuese të Kosovës, ndërsa edhe Kosova është pajtuar që të mos i lëshojë të njëjtat për mbajtësit e letërnjoftimeve nga Serbia.