Ende nuk dihet se kur do të ekzekutohen pagat për punëtorët e institucioneve publike, të cilët janë grevë që nga 25 gushti.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion. Kurse, zyrtarë në Thesarin e Kosovës thonë se janë në pritje të konfirmimit të listave të pagave.
Thesari i Kosovës është institucion që menaxhon dhe bën ekzekutimin e pagave.
Nysret Koca, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për kontabilitet, raportim dhe monitorim në Thesarin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se gjatë ditës (1 shtator) nuk ka pranuar ndonjë konfirmim të listave nga organizatat buxhetore për ekzekutim të pagave.
“Jemi në pritje. Më 31 gusht kemi pranuar konfirmimin e [disa] listave për paga dhe i kemi ekzekutuar”, tha ai.
Thesari i Kosovës për çdo muaj dërgon listat e pagave tek organizatat buxhetore për të konfirmuar ndonjë ndryshim eventual.
“Ky është një proces i rregullt mujor dhe në fund të muajit finalizohet lista pasi të jetë konfirmuar nga organizata buxhetore përmes sistemit të pagave”, deklaroi Koca për REL.
Nga fundi i muajit gusht, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike nga rritja e çmimeve të konsumit. Ata kërkojnë 100 euro në muaj deri në miratimin e Projektligjit për paga.
Ekzekutivi, më 31 gusht ka bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për këtë muaj.
Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, më 31 gusht ka bërë të ditur se ekzekutimi i pjesshëm i pagave është bërë për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit./rel/