Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, ka takuar Dr. Valon Spahiu, kardiolog në Heilbron të Gjermanisë, dhe dr. Edmond Halitin, kardiolog në Klinikën e Kardiologjisë në Prishtinë, pasi që në Shërbimin e Elektrofiziologjisë të Klinikës së Kardiologjisë për dy ditë me radhë po kryhen raste të studimit elektrofiziologjik të zemrës, në përkrahje dhe mbikëqyrje të ekspertëve të jashtëm.
Në këtë takim, u diskutua mundësia e funksionimit të Elektrofiziologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ministri Latifi, tha se një nga synimet dhe objektivat e tij në krye të Ministrisë ë Shëndetësisë, është edhe ky shërbim shëndetësor, në mënyrë që pacientët të mos shkojnë në trajnimin jashtë vendit.
Ministri Latifi, tha se në programin e tij, është edhe avancimi i specialistëve, duke i dërguar ata në subspecializim, në shtete tjera, në mënyrë që të hynë në funksion Elektrofiziologjia edhe në Kosovë.
Në ndërkohë, ministri Latifi, ka vizituar Shërbimin e Elektrofiziologjisë të Klinikës së Kardiologjisë , ku më për së afërmi është njoftuar për procesin e dy rasteve të studimit elektrofiziologjik të zemrës.
Vlen të theksohet se gjatë ditës së sotme dhe nesër, ekspertët e fushës së elektrofiziologjisë Dr. Edmond Haliti dhe Dr. Xhevdet Krasniqi në mbikëqyrje dhe përkrahje nga eksperti i jashtëm Dr. Valon Spahiu kardiolog dhe ekspert i elektrofiziologjisë së zemrës nga SLK- Klinikum Platenëald ne Heilbronn të Gjermanisë, do të realizojnë studimin elektrofiziologjik dhe ablacionin me radio-frekuencë te disa pacientë me takikardi supraventrikulare, para ngacmueshmëri ventrukulare dhe flater atrial (rrahjet e shpejta të zemrës me potencial përkeqësimi).
Për këtë studim, Dr. Valon Spahiu, kardiolog në Gjermani, u shpreh I gatshëm për të ndihmuar QKUK-në në avancimin e Elektrofiziologjisë, sa herë që kërkohet, pasi që pacientët e Kosovës kanë nevojë për një shërbim të tillë.