Kompania “Led-Com.Ch”, me pronar Mehmet Sopën – biznesmen nga Zvicra dhe Refik Ramadanin – drejtor ekzekutiv të këtij biznesi me pajisje kompjuterike në Kosovë, janë bërë tashmë të njohur për zemërgjerësinë e tyre për të pajisur individë e grupe të ndryshme të shoqërisë, me mjete teknologjike, laptopë e kështu me radhë. Në kohë pandemie, në periudhën më të nevojshme për mësim online, kjo kompani ndihmoi nxënësit romë, duke iu dhuruar kompjuterë, ndërsa gatishmëria për të ndihmuar vazhdon edhe për grupe shoqërore që avancojnë lart zhvillimin e jetës kulturore dhe artistike në nivel komunal e qendror, siç është OJQ kulturore “Varg e Vi” – organizata më e konsoliduar në nivel të Anamoravës, me kreativitetin më të veçantë në artin bashkëkohor, anëtarët e së cilës tashmë janë bërë pjesë edhe e historisë më të re të Kosovës, kur bëhet fjalë për artin kontemporan, artin konceptual, instalacionet, video-artet, performancat artistike, lojën teatrore etj., shumica prej të cilëve kanë fituar edhe çmimet kryesore artistike si: “Artistët e së nesërmes”, “Muslim Mulliqi”, pjesë e fondit shtetëror për blerjen e veprave artistike dhe me pjesëmarrje në ekspozita personale e grupore brenda dhe jashtë vendit.
Avni Shkodra – drejtor ekzekutiv i Varg e Vi-së, me rastin e pranimit të donacionit prej 5 laptopësh nga Led-Com.Ch, ka falënderuar shumë filantropin Sopa dhe drejtuesit e kompanisë, duke thënë:
“Mirënjohës gjithmonë për çdo artdashës, mbështetës të OJQ-ve kulturore, siç është Led-Com.Ch. Arti nuk ndihmohet veç me mjete financiare, por edhe me pajisje për punë. Nuk ka liri artistike, pa zhvillim të qëndrueshëm të organizatave joqeveritare në nivel komunal e republikan dhe pa mbështetje edhe nga sektori privat. Teknologjia nevojitet për dizajnin e sotëm dhe arti e teknologjia janë të integruara në çdo fushë. Nuk duhet të pritet vetëm nga sektori publik, por të krijohen ura partneriteti biznes-OJQ kulturore, në mënyrë që jeta kulturore për qytetarët, të jetë sa më dinamike, sa më e pasur, sa më kreative dhe sa më diversive. Prandaj, biznesmenët dhe artistët, duhen të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe një shembull të mirë e model po e krijon Led-Com.Ch bashkë me Varg e Vi-në”.
Ndërsa drejtori i Led Com.Ch-it, Refik Ramadani, me rastin e ndarjes së donacionit për Varg e Vi-në, ka theksuar:
“Ne si kompani duam të kemi përgjegjësi sociale. Atë që e fitojmë brenda një qyteti, shteti e shtete si Kosovë e Zvicër, komunë, komunitet, një pjesë të fitimit, që është detyrim ligjor e tatimor, ta lëmë në shtet, por edhe një pjesë që nuk është detyrim ligjor, por moral, t’ia japim shoqërisë, ta kthejmë në komunitet, dhe në këtë rast, edhe tek artistët e OJQ-të kulturore. Ne në vazhdimësi kemi ndihmuar grupe të margjinalizuara të shoqërisë, shtresa në skamje, familje me asistencë sociale, fëmijë të komuniteteve etnike, por duam që ta shtrijmë vullnetin tonë, ndihmën tonë, sidomos në OJQ-të kulturore, e shumë serioze, siç është Varg e Vi, me çdo aktivitet të veçantë që po zhvillon në Komunën e Gjilanit e më gjerë.”
Shembulli i bashkëpunimit Led-Com.Ch dhe Varg e Vi-së, duhet të zgjerohet e të jetë sistematik nga çdo OJQ e biznes tjetër.