Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka fajësuar zyrtarët financiarë të komunave nëpër Kosovë për shkak se nuk i kanë dorëzuar listat e punëtorëve dhe rrjedhimisht nuk iu kanë dalë pagat për muajin shtator.
Ai tha se kjo ka qenë një papërgjegjshmëri nga ana e nivelit komunal dhe se mos-ekzekutimi i pagave nuk ka ndodhur për faj të qeverisë.
Megjithatë, ai shtoi se ligji duhet të zbatohet se nuk është si “llastiku” siç ka qenë në të kaluarën.
“Do ta them me keqardhje ka qenë një papërgjegjshmëri nga ana e nivelit komunal. Një gjë të tillë s’ka ndodhur për faj të qeverisë, pas datës 10 prandaj shërben mekanizimi për përditësim, por niveli komunal nuk e ka bërë pavarësisht pritjes”.“Do të shohim gjatë ditëve në vijim, marrë parasysh se e gjithë administrata komunale ka bartur pasojat se komuna nuk ka dorëzuar listat. Ligji duhet të zbatohet, zyrtarët komunalë janë përgjegjës për zbatimin e ligjit në fuqi”.
Murati ka treguar se si do të subvencionohen qytetarët që kursejë energjinë elektrike.
Sipas tij, do të përfitojnë 300 mijë familje nga ndihma e Qeverisë Kurti.
“Konsideroj që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë këtë masë. S’kanë nevojë të aplikojnë pasi të dhënat sigurohen nga operatorët dhe subvencionimi do të bëhet direkt. Krejt çka duhet të bëjnë është t’i ndërrojnë poçat elektrikë. Është e domosdoshme të kursehet”, deklaroi ai në konferencë për media.
“Sa i përket shtesës, siç e thashë edhe në muajin prill ka qenë se qeveria e ka vlerësuar se duhet të mbështetën qytetarët edhe sektori publik dhe ai privat. S’ka qenë kërkesë, e kemi bërë se ka qenë e nevojshme. E njëjta është tani edhe për stinën e vjeshtës dhe dimrit që po na pret”.
Murati gjithashtu ka thënë se do t’i ndalin në ndihmë të gjitha bizneseve që do të ua rrisin pagat punëtorëve të tyre. Ai tha se kjo shumë do të subvencionohet gjysma nga ana e pushtetit për tre muaj radhazi.
“Do të kenë mbështetje. I bëj thirrje bizneseve dhe punëtorët që të bëhet kjo rritje e pagës. Dhe ne do të mbështesim për tre muajt e ardhshëm. Sa i përket studentëve, ne do të iu njoftojmë ditëve në vijim sa i përket formularit të aplikimit. Do t’i mbështesim qytetarët”.