Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, përmes një statusi në ‘facebook’, ka kritikuar ashpër kryeministrin Kurtin duke thënë se po i politizon grevat e arsimit shkruan Radio Star.
Haziri ka thënë se kryeministri Kurti, po i shantazhon punëtorët e arsimit e shërbyesit civil që është poshtërimi e lëndimi më i madh që ua ka bërë dikush ndonjëherë.
Postimi i plotë:
Grevat në fakt po i politizon Qeveria Kurti. Nëse i shantazhon punëtorët e arsimit e shërbyesit e shtetit me ndalje të pagës sikur që ishte deklarata e ministrit të Financave, e që sot është dita e tretë dhe punonjësit e shtetit të të gjitha kategorive nuk i kanë marrë ende pagat, ky është asgjë tjetër pos – POLITIZIM.
Dialogu social është mekanizëm krejt tjetër. Ky dialog, nuk po ndodh nga përfaqësuesit e qeverisë me ata të sindikatave, përkundër inkurajimit dhe thirrjes nga ana e LDK-së. Në kontekst të kësaj, Kosova ka hyrë në një fazë të pëlcitjes së problemeve sociale dhe kësaj po i kontribuon Qeveria Kurti.
P.S. Tani Rrahman Jasharaj, i cili ia dha kontributin Mësuesit të Popullit, nuk mund të lëndohet nga askush që vjen nga ata që po administrojnë me Kosovën. Lotët e tij për nxënësit e tij, jo prej frikës!