Nuk ka reformë të vërtetë e serioze prej pastërtisë së tualetëve e sistemit modern ekologjik të ngrohjes e deri tek avancimi profesional i menaxhimit të shkollave dhe cilësia në mësimdhënie, pa harruar sidomos një reformim ngulmues në orientimin, informimin e këshillimin profesional për shkollat e mesme të larta. Anulohen shumë vonë konkurset dhe rishpallen, vetëm pas presionit mediatik e publikut të gjerë. Pse nuk është anuluar konkursi edhe pa dalë në masmedie, aq vonë?! Kryetari i Komunës e ka shkarkuar drejtoreshën komunale për arsim, sepse sipas tij, ka dyshime pas raportimit nga mediet, se janë punësuar familjarë të drejtoreshës dhe deputetit nga radhët e LVV-së. Nëse ka dyshime i pari i komunës, provat duhen dërguar në prokurori. Komisioni për vlerësim duhet të jetë dëshmitar nëse ka pasur ndikime. Konkursi anulohet. Fillon nga zero. Por kush dha përgjegjësi? Vetëm drejtoresha. Po Komisioni Vlerësues? Po edhe deputetë të LVV-së, që u përmendën në masmedie?! Jo, sepse nuk ka guxim për aktivistët kryesorë partiakë për Gjilanin. Kë e largoi? Një kolege jomilitante, që e ka ftuar deputetja tjetër, mike mësimdhënëse e ish-drejtoreshës, sepse LVV, fatkeqësisht nuk ka ekip e kuadro, sikur shumica e partive në Gjilan. Nuk ka qenë militante, prandaj e ka pasur shumë lehtë shkarkimin e drejtoreshës për rritje popullariteti. Nuk qeveriset komuna me aktivistë të dëshmuar, por me profesionistë të dëshmuar dhe monitorim strikt të performancës së tyre. Duhet ofruar njerëz profesionistë rreth vetes. Duhet rritur pagat e tyre, se nuk të vijnë me këto paga të rrinë në kabinet. Duhet bërë një ekip të mirë, ku lejohet diskutimi demokratik dhe pa qasje armiqësore ndaj ideve të ndryshme deri në idenë më kreative e funksionale. Kryetari e ka larguar një qeverisje tepër të konsumuar politike dhe ka bërë shumë mirë. Duhet një rimendim i krejt qeverisjes lokale, sepse është mjaft dobët në shumicën e fushave. Afrim kuadrosh. Një bashkëpunim të fortë me deputetët e Gjilanit dhe me i çue projektet e Gjilanit në një dinamikë krejt të re implementuese. Dikur në arsim, më së shumti kishte rekrutime të vajzave e grave aktiviste të LDK-së, ose individë me afërsi me ish-Kryetarin, e ndonjë të AAK-së, se e kishin pak drejtorinë, e më herët të PDK-së, sepse DKA kudo në komuna funksionon si “fabrikë punësimi”, ajo e Bujqësisë për subvencione dhe e shërbimeve publike për tenderë në infrastrukturë. Jemi në shekullin XXI e duhet folur në frekuenca të tjera, të ngritjes së arsimit në një shkallë krejtësisht tjetër zhvillimi bashkëkohor e teknologjik. Askush nuk flet për teste amatore e mekanike të rekrutimit të mësimdhënësve, ku ka pyetje përmendësh nga kurrikula. Askush për drejtorë shkollash partiakë e krejt amatorë. Askush për dështime në testet e arritshmërisë në keqorientim profesional e keqadministrim. Askush për sistem të gabuar të pikëve dhe keqinterpretimit të normativit të MASHT-it e ndryshime të tij, ku për Edukatë qytetare nuk i jepet përparësi sociologjisë, por Histori-Edukatë qytetare.
Më së shumti në këtë lëndë ka tema nga sociologjia, pastaj nga juridiku, më pas nga psikologjia, më pas nga ekonomia e teknologjia. Duhet diskutuar që nuk lexojmë si shoqëri, si mësimdhënës, prindër e nxënës e projekte unike të instalimit të leximit si pasion sistematik. Punë praktike. Rritje inspektorësh pedagogjikë e profesionistë. Heqje hekurash rreth shkollave përtej burgjeve. Qenë endacakë që përveç kafshimit, çdo ditë na traumatizojnë dhe numri i tyre po i afrohet njerëzve që banojnë në komunë! Investime të mëdha në shkollat profesionale e bursa ku nuk shkohet, e jo ku ka tepri diplomash. E shumë çështje të tjera. E përkrahi idenë e shkarkimit kudo ku ka dyshime për shkelje, sepse kultura e mosndëshkueshmërisë ka efekte negative, por jo vetëm veprime me bazë pritjet e publikut dhe komente: “Bravo kryetar!”. Kështu, ruhet paprekshmëria e kryetarit e militantëve partiakë, por mund të “sakrifikohen” njerëz veç pse janë pa mbështetje partiake dhe mund të “frikësohen” njerëzit e tjerë të përfshihen në politikë lokale. Kush vjen pas teje, kur ti e ruan vetëm veten tënde me popullaritet?! Kush vjen në komisione, kur veç për popullaritetin tënd para masave, i shkarkon të pafuqishmit politikisht dhe me selektim?! Jo vetëm shkarko, por kërko hetime. Jo vetëm shkarko, por krijo suksese që mos të ketë nevojë veç për shkarkime. Nëse të ndodhin shkelje, është mirë të shkarkosh, por vetë shkeljet, janë grumbullim dështimesh. Kur ndodhin dështimet, rruga e vetme është shkarkimi, ama të bëhet sa ma herët dhe të jetë për çdonjërin. Pandëshkueshmëria është keqqeverisje, por suksesi në qeverisje ka rrugë të vështira. Përfshin të gjitha fushat.
Nuk lidhet veç me konkurse, por me transformim të komunës. Deri tash, ka një vlerësim të dobët, por ende ka shansin, nëse e bën një riformatim total në kuadro, ekip e vizion. Pa qeverisje nën ndikimin e disa komenteve në Fejsbuk, ndonëse po marrje parasysh.