Lista Serbe i ka reaguar Presidentes Vjosa Osmani, pasi ajo tha se ky subjekt përfaqëson interesat e organizatave kriminale.
Në një njoftim të Listës Serbe thuhet se Osmani është “satelit” i kryeministrit Albin Kurti, dhe, sipas këtij subjekti, ajo është në zyrë përderisa përcjell “verbërisht urdhrat e tij”.
Presidentja Osmani është deklaruar rreth një reagimi të Listës Serbe për vizitën e saj në veri të Kosovës.
“Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbëve që jetojnë në Kosovë. Lista Serbe për fat të keq është shndërruar në përfaqësuese të interesave të organizatave kriminale. Unë jo vetëm që jam presidente e të gjithë qytetarëve pa dallim, përfshirë të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, por jam komandante supreme e ushtrisë së këtij vendi, e cila në mesin e saj ka edhe shqiptarë, edhe serbë, edhe turq e të komuniteteve të tjera”, ka thënë Osmani.
Kësaj i është përgjigjur sërish Lista Srpska, duke e komentuar Ushtrinë e Kosovës.
“Në anën tjetër, ne ju kujtojmë se ajo e prezanton vetën e saj si komandante supreme e një ushtrie, por ajo ushtri nuk guxon të vijë në veri të Kosovës, ushtri e cila ka pilotë por jo helikopterë, mos të flasim për tanke dhe aeroplanë”.
Sipas Listës Serbe, Osmani arriti të bëhet deputetë falë dy deputetëve nga grupi parlamentar i saj.
“Ajo e di se falë cilit zyrtar të lartë të Listës Serbe, ata dy deputetë u pajtuan që ta votojnë atë të zgjidhet”, thuhet në njoftimin e partisë serbe në Kuvend, e cila eviton përmendjen e funksionit të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani e quajti listën serbe “të lidhur me struktura kriminale”, kur u pyet për një deklarim të këtij subjekti rreth saj, në konferencën me Presidentin slloven, Pahor.
Lista Serbe thotë se kur Osmani u zgjodh Presidente, “atëherë nuk ishim kriminelë për të”.
Tutje në njoftim ky subjekt politik ka shkruar se nuk e pranojnë Osmanin si presidente, por vetëm presidentin serb, Aleksandër Vuciqin.