Deputeti i PDK-së Hisen Berisha ka akuzuar ashpër kryeministrin Albin Kurti se me politikat e tij të gabuara po e zhbën pavarësinë e Kosovës duke i hapur rrugë formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili bie ndesh me Kushtetutën.
Deklarimet e deputetit Berisha vijnë pasi që ish-ndërmjetësuesi evropian Wolfgang Petritsch tha se një shkallë e caktuar autonomie është e nevojshme për serbët në Kosovë, duke iu referuar kështu kërkesës së Serbisë për krijimin e asociacionit.
Berisha thotë se deklarime të tilla në opinionin ndërkombëtar vijnë kryekëput për shkak të kundërshtimit që Kurti i bëri marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, përmes së cilës bisedimet dypalëshe do të mbylleshin me njohje reciproke.
“Kur bëhet një deklarim i tillë nga ana e një të deleguari në bisedimet për pavarësinë e Kosovës, se “është e nevojshme një shkallë e caktuar autonomie për serbet e Kosovës”, kjo deklaratë duhet të na vë në alarm, shto faktin se Wolfgang Petritsch, e di se janë bërë kompromise të dhimbshme dhe të mëdha për pavarësinë, tregon se ku e solli vendin, vonesa në proces, nga Albin Kurti”, thotë Berisha.
Ndërsa Departamenti i Shtetit Amerikan kishte paralajmëruar se status quo është në dëm të Kosovës dhe në interes të Rusisë e Serbisë, Berisha thotë se Kurti “me retorikën e tij prej mashtruesi patologjik, po mundohet ta kamuflojë tradhtinë ndaj Kosovës, me traktate mossulmimi me Serbinë, me formulime si njohja në qendër, shpëtim nga “thikat mbi harta”.
“Po të ishte mbyllur çështja e Kosovës që në vitet 2016-2017-2019 nuk do të kishte ardhur deri te ky propozim, ngase u mbyllte me asociacionin sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por, kallja e parlamentit me kauza të rreme, e la Kosovën pa e mbyllur procesin e shtetësisë, kurse refuzimi të zbatoj apo zbatimi selektiv i marrëveshjes së Uashingtonit, i la pa i mbyllur bisedimet Kosovë – Serbi, me njohje reciproke”, ka thënë Berisha.
“Politika e zhbërjes së Kosovës “shtet i pavarur”, po rrëshqet nga asociacioni, drejt opsioneve tjera që po shfaqen në sfondin e diplomacisë evropiane.
Riformatimi i dialogut, si prioritet “jo relevant” i qeverisë Kurti, mos implementimi i marrëveshjeve të arritura me garanci ndërkombëtare të SHBA-së, do na përballë tani përtej asociacionit kushtetues, me opsionin e “dy gjermanive” (që si opsion u arrit në mes dy shteteve të ndara dhunshëm dhe me synim ribashkimi, pra një rast “sui generis” për Gjermanitë”, thotë Berisha.
Si i tillë, shton ai, ky opsion mund të vlejë në mes Kosovës e Kosovës lindore, Sanxhakut, Malit të Zi apo Shqipërisë me Çamërinë/Greqinë apo me Maqedoninë, tani me opsionin e Petritsch për “autonomi të zgjeruar vetëqeverisëse”.
Berisha thotë se në planin e politikës së jashtme, nxjerrja e Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar dhe Amerika, e vendosja nën ndikimin e Gjermanisë e Francës, direkt shkon në favor të Rusisë dhe kjo linjë e komunikimit të kryeministrit Kurti me diplomacinë botërore, sipas tij, “shpalos qartë lidhjet e tij me rusët”.
Deputeti Berisha ka folur edhe rreth marrëveshjes për letërnjoftimet në kufirin Kosovë-Serbi. Ai thotë se heqja e letrës përcjellëse të ID-letërnjoftimit, që tregonte hyrje-daljen nga Kosova në Serbi, dhe anasjelltas, në një pikë kalim kufitar/doganor, “e përligj pozicionin e Kosovës në Kushtetutën e Serbisë”.
“Kjo përbën tradhti kushtetuese, ashtu siç edhe riformatimi/mos implementimi i çdo marrëveshje të arritur me garancinë ndërkombëtare të SHBA-së. Edhe, për “kornizën e re” të bisedimeve, siç po trumbetohet nga pala serbe, ideuar nga përfaqësuesit e të “fuqishmëve të Evropës, shtrohet pyetja, çka? Si do bëhet kjo?
Me asociacion, me autonomi, me çfarë koncesionesh po mbyllet shpejt, kapitulli i bisedimeve?! Çdo ditë të qëndrimit të këtij mashtruesi patologjik, e tradhtari të marrë peng nga e kaluara e tij, nga mafia ruse në Ballkan, bashkëveprimtarët e Bin Ladenit si Osman Atalai dhe muxhahedinët e Iranit, po çon drejt “zhbërjes” së Kosovës si shtet funksional dhe “kthimin nën Serbi apo të Serbisë në Kosovë”. Koha e fundit që Albin Kurti të ikë!”, përfundon Berisha./Insjaderi/