Lëshohen patentë-shoferët me dizajn të ri
Vjollca Islami është qytetarja e parë në Republikën e Kosovës, e cila është pajisur me patentë-shofer me dizajn të ri, i cili edhe zyrtarisht nga sot ka filluar të lëshohet për qytetarët. Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, tha se dizajni i ri i patentë-shoferit i plotëson të gjitha standardet ndërkombëtare dhe garanton nivel më të lartë të sigurisë.
“Ky një model i cili i përshtatet të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe evropiane, do të jetë më i lexueshëm në aspektin elektronik nga organet të cilat e bëjnë kontrollin e lejeve, por po ashtu garanton nivel të lartë të sigurisë, vështirëson apo bënë të pamundur falsifikimin e dokumenteve, gjë që hynë edhe në plotësimin e standardeve të cilat kërkohen nga ne në fushën e sigurisë së dokumenteve në përgjithësi “, tha ai. Ministri Sefaj bëri të ditur se ky dizajn i ri i patentë-shoferit do të ndikojë edhe në uljen e aksidenteve dhe do të lehtësojë edhe kontrollin e të dhënave nga Policia e Kosovës. “Shpresoj që e gjitha kjo do të ndikojë edhe në fund edhe për uljen e aksidenteve në trafik, sepse është e domosdoshme të flasim për këtë fenomen negativ që qytetarët të jenë më të kujdesshëm dhe kjo do e lehtësojë edhe kontrollin e policisë të të gjitha të dhënave personale dhe dokumenteve, të cilat ndërlidhen me këtë dokument”, tha Sefaj.
Drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Bekim Hoxha bëri të ditur se që nga tani të gjithë ngasësit në Kosovë mund ta ndërrojnë patentë-shoferin, mirëpo sipas tij kjo nuk është obliguese. Ai bëri të ditur se së shpejti do ta marrin vendimin që pajisja me patentë-shofer të bëhet më lirë sesa tani. “Në bazë të kostos për momentin është 15 euro, por në bashkëpunim me ministrinë dhe ekipin që ka qenë në koordinim ministri ka deklaruar se do të ketë një zbritje, por ende nuk e kemi marr vendimin, por sigurisht që çmimi do të jetë më i ulët më shumë se sa ka qenë më herët”, tha ai. Sipas Hoxhës ligji i ri për trafikun rrugor i ka obliguar që të ndryshojnë dizajnin e patentë-shoferit.
Ministri Flamur Sefaj dhe drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Bekim Hoxha deklaruan se kjo teknologji e re për dokumentacione e rëndit Kosovën si ndër vendet e para që po e përdor këtë sistem. E lumtur me pajisjen me këtë dizajn të ri të patentë-shoferit ishte edhe Vjollca Islami, e cila u shpreh e kënaqur me dizajnin e ri dhe shumën e patentë shoferit, e cila kap shifrën 16 euro. “Po ndihna shumë mirë… shumë e mirë, shumë po më pëlqen, po për herë të parë 16 euro. Nuk e di, jo edhe shumë, sepse 20 ka qenë“, u shpreh ajo. Ndryshe, ministri Sefaj iu ka dorëzuar edhe disa qytetarëve të tjerë patentë-shoferin me dizajn të ri. Ministria e Punëve të Brendshme përmes Agjencisë për Regjistrim Civil, e mbështetur nga kompania gjermane “Veridos GmbH-Identity Solutions by Giesecke+Devrienr and Bundesdrukerei”, ka lansuar sot projektin “Patentë -shoferi mobil”. 18 Të ngjajshme Fillon lëshimi i patentë-shoferëve me dizajn të ri