Greva në arsim që ka nisur më 25 gusht do të vazhdojë, kjo pasi nuk pati asnjë marrëveshje në kërkesën e grevistëve për 100 euro shtesë.
Madje, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, pas takimit që pati me kryeministrin, Albin Kurti, tha se nuk pati asgjë pozitive, njofton Klankosova.tv.
“Sapo dolëm nga takimi shumë kohë i pritur, mes BSPK-së, kryeministrit Albin Kurti, ministrit Murati dhe ministres Nagavci. Takimi ishte goxha i gjatë, të dy palët i thanë mendimet e tyre. Ne si Këshill i prezantuam kërkesat tona legjitime. Ata na treguan prapë për angazhimet që i kanë bërë, mund të them se takimi ishte përmbajtjesor”.
“Asgjë s’ka ndryshuar, Qeveria qëndron në deklarimet e saj, ne po ashtu”, deklaroi Jasharaj.
“Temë e nxehtë ishte edhe pakoja, ata e kanë dhënë pa diskutim me ne, ne insistuam që kjo shumë s’është pranuar, të lëvizë. Ishim të gatshëm të bëjmë kompromis, Qeveria mbeti tek shuma e proklamuar”.
Anise marrëveshje nuk pati, Jasharaj tha se u bë mirë që dialogu ka nisur.
“Filloi dialogu, uroj që Kurti të mos i mbyllë dyert. Duke uruar që gjendja të stabilizohet. Lajmi më i mirë është që dialogu filloi. Uroj që dialogu të vazhdojë, aktualisht nuk ka asgjë. Në takim nuk morëm asgjë pozitive, anëtarësia prapë do t’i thotë jo pakos”, deklaroi Jasharaj.