Asnjë shikues në derbin Drita – Gjilani, madje as fëmijët e shkollës së futbollit!
“Njoftojmë të gjithë sportdashësit, veçanërisht tifozët tanë “Intelektualët” se me vendim të prerë nga Stacion Policor në Gjilan jemi urdhëruar që ndeshja derbi FC Drita – SC Gjilani të zhvillohet pa asnjë pjesëmarrës në tribuna”, thuhet në njoftimin zyrtar të FC Drita.
Mësohet se FC Drita kishte bërë përpjekje që ndeshja të zhvillohet të paktën me prezencë të fëmijëve të shkollës së futbollit të Dritës, sepse kanë konsideruar që ata nuk përbëjnë rrezik për ndonjë incident dhe pjesëmarrja e tyre vetëm sa do t’ia shtonte bukurinë derbit, porse kjo kërkesë nuk është aprovuar me arsyetimin e policisë se për shkak të infrastrukturës jo të përshtatshme dhe sigurisë në stadiumin ndihmës ndeshja duhet të zhvillohet pa tifozë.
“Policia kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, ndërsa ne si klub shprehim keqardhje për mungesën e tifozëve dhe kërkojmë poashtu mirëkuptimin tuaj. FC Drita do ta ketë parasysh se nëse në derbin e radhës nuk merret ndonjë iniciativë për t’i rikthyer tifozët në stadium, klubi ynë do ta konsiderojë seriozisht ndërrimin e stadiumit vetëm e vetëm që tifozët të jenë pranë klubit tonë”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit bardhëekaltër.
Përndryshe, ndeshja derbi FC Drita – SC Gjilani zhvillohet të mërkurën, ora 15:00, në Stadiumin Ndihmës (te rrethi).