Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj i ka ftuar qytetarët që të jenë pjesë e organizimit, ndihmës dhe pjesëmarrës në kundërshtimin e vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
Ai tha se kontributi i secilit është i nevojshëm, nga punimi i parullave deri tek ofrimi i transportit, në mënyrë që kushdo që dëshiron të marrë pjesë, të mos privohet nga mundësitë.
“Vizita e znj. Trendafilova është instrument propagande. Përpjekja e saj për ta rehabilituar një proces të padrejtë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mundet të kalojë pa u vënë re. Kjo vizitë është e padëshirueshme”.
Ish-deputeti Molliqaj tha se protesta do të organizohet më 21 shtator, në Gjilan, duke filluar nga ora 10:00.
“Prandaj protestojmë, të mërkuren, me 21 shtator, 10:00. Ju faleminderit paraprakisht”, njoftoi ai në Facebookun e tij.