Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se sërish në Kosovë mund të ketë luftë.
“Kjo çështja e luftës po bëhet si çështja e atij bariut që nuk i besonte më askush se ujku po ia han delet”,ka shkruar Klinaku në Facebook.
Kurti, në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji list”, ka përmendur stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Serbisë dhe Rusisë, derisa tha se do të ishte e papërgjegjshme të thuhet se s’do të ketë kurrë më konflikt.
“Nëse nuk ka përgatitje për luftë, atëherë pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake që i kanë pasur janë quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllave’”, citohet të ketë thënë Kurti.