Shkruan: Avni Rudaku
Letër pemëtarëve dhe perimeshitësve të Gjilanit
Të nderuar perimeshitës dhe pemëtarë të Gjilanit,
po ju shkruaj një letër, me kërkesën e vetme t’i lironi trotuarët.
Juve afër shkollës “Selami Hallaçi”, aty ku kalojnë aq shumë kalimtarë.
Aq shumë fëmijë, nxënës, prindër me karroce që kanë të vëgjëlit e tyre.
Juve përballë shkollës së lartpërmendur, në anën e kundërt të rrugës.
Juve që çdo blerës e respektoni me mirësjellje “Hajde kojshi!”, çdo blerëse “Hajde kojshike”.
Kur e kam nevojën për të blerë pemë e perime, e di ku jeni dhe hy brenda lokalit tuaj.
Është bërë stres i përditshëm të ecim lirshëm nga specat turshi.
Nga grejëzit që kafshojnë rrushin në gajbet e lëna në trotuar.
Nga kundërmimi i disa frutave të prishur pa dashjen tuaj.
Juve kah ana e kundërt e rrugës së qendrave të mëdha tregtare.
Juve kudo që jeni në Gjilan.
Është zënë krejt trotuari dhe mezi ecim si “tren”.
Nuk kam vullnet as të eci si këmbësor.
Më bezdisin edhe si pamje për sytë e mi.
Merrni më pak e shisni më shumë.
Ju betohem, produktet e juaja i dua shumë.
Janë të shëndetshme.
Të nderuar,
lironi trotuarin.
Shisni brenda.
Jam stërlodhur kah eci andej, kah hedhi shikimin përtej.
Ua kuptoj nevojat si shitës, por po flas si këmbësor dhe në emër të qindra kalimtarëve, nxënësve, mësimdhënësve, prindërve, këmbësorëve.
Po ju drejtohem juve me dashamirësi, sepse më duket e vrazhdë, menjëherë t’i drejtohem inspeksionit.
Dua ta krijoj një qasje të “zgjidhjes së telasheve në komunitet”.
Është një model që po zhvillohet në botën e zhvilluar njerëzisht dhe ekonomikisht, kur problemet nuk adresohen direkt veç në organe penalizimi, komunale e shtetërore.
Dua ta zhvilloj një model qytetar të zgjidhjes së problemeve nga komuniteti dhe në komunitet.
Njerëzisht.
Të nderuar, është gëzim për turshi të vjeshtës e dimrit me speca e kumbulla, por na ka humbur durimi si kalimtarë të rastit.
Bllokadë.
Vetura.
Kamionë transporti.
Ngarkim e shkarkim.
Shporta mbeturinash.
Na lironi trotuarët.
Frutat brenda.
Perimet gjithashtu.
Kur dua të blej, e di ku jeni dhe ku i keni.
Faleminderit shumë për mirëkuptim!
Me respekt,
Kojshia