Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahaman Jasharaj i është përgjigjur letrës së Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, lidhur me grevën në arsim.
Në letrën e Jasharajt të cilën e ka siguruar teve1.info, kreu i SBASHK-ut duke falënderuar Avokatit e Popullit për iniciativë, ka theksuar se sindikata ka bërë përpjeke të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhje.
Jasharaj është shprehur i befasuar me Avokatin e Popullit që organizmin sindikal për mos fillimin e procesit mësimor e ka kualifikuar si “cenim të së drejtës së fëmijëve në arsim”, sepse sipas tij nuk mund të ketë cenim të së drejtës në arsim dhe ushtrim të ligjit të të drejtës në grevë.
SBASHK-u në letrën e tyre ka treguar se pajtohet për zbatimin e disa pikave, siç janë: Rritja e pagës për 10.45 aq sa ishte rritja ekonomike e BPV në Kosovë sipas ASK-së, Plotësim ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim ndryshimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci pas takimit që ka zhvilluar me Avokatit e Popullit javën e kaluar ka thënë e kanë shqyrtuar rekomandimet nga ky institucion.
Në përgjigjen ndaj letrës së Avokatit të Popullit, nga Nagavci thuhet se “Qeveria e Kosovës, në fund të vitit 2022, do ta rivlerësojë situatën e krijuar dhe në akordim me konkluzionet e nxjerra do të vendoset për periudhën e re të ofrimit të shtesave mbi pagë, nivelin e shtesës dhe kategoritë shoqërore të mbuluara”.