Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka folur rreth emërimit të saj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, pasi që ky veprim u cilësua si “përçarje” për shqiptarët në Luginë.
Në një prononcim për Tëvë1 ajo tha se tashmë është e rëndësishme që ka një adresë të posaçme për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën sepse emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen.
“Është e rëndësishme që tashmë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka adresë të posaçme institucionale në Republikën e Kosovës. Pas buxhetimit të Luginës së Preshevës nga Republika e Kosovës, funksionalizimi i këtij mekanizimi qeveritar të Republikës së Kosovës fuqizon institucionalizimin e trajtimit të Luginës së Preshevës edhe si punë sistematike shtetërore. Emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen, me rëndësi është të funksionalizohen dhe zhvillohen institucionet. Pra, që tashmë kemi zyre si Luginë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Të punojmë bashkërisht për ta zhvilluar”, tha Sinani.
Tutje, ajo u shpreh se kjo do të jetë adresa e vetme zyrtare për komunikimin e institucioneve me Qeverinë.
“Krijimi dhe funksionalizimi i infrastrukturës institucionale në shërbim të bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufijve administrativ është praktikë e shteteve demokratike; evropiane dhe përtej. Ka 20 vjet që Beogradi e ka zyrë, buxhet dhe plan e program për Luginën e Preshevës, madje edhe për Kosovën (serbët e Kosovës). Zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është adresa zyrtare e Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës. Jemi në shërbim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pa përjashtim”, tha ajo.
Madje, kryetarja e Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë thotë se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës është i rëndësishëm për shkak të diskriminimit dhe shtypjes sistematike.
“Lugina e Preshevës ka probleme të shumta për shkak të diskriminimit dhe shtypjes sistematike. Rrjedhimisht bashkërendimi i Republikës së Kosovës me Luginën e Preshevës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Të ecim tutje për t‘i përmirësuar dhe përparuar të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve në Luginën e Preshevës”, tha ajo.
Kryeministri Kurti emërimin e Sinanit si këshilltare politike për Luginën e Preshevës e cilësoi si hap të parë për themelimin e Zyrës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.