Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra.
Në adresimin e saj, përmes platformës Zoom, ajo ka thënë se DhSK merret vetëm me përgjegjësi individuale dhe jo përgjegjësi të organizatave.
“Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar janë plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra dhe jemi marrë vetëm me përgjegjësi individuale dhe jo përgjegjësi të organizatave. Siç shihni DhSK fokusohet vetëm në mandatin e vet. Kam parë në media që ka kritika sa i përket punës së gjykatës dhe gjithashtu ka njerëz që nuk besojnë në mandatin e DhSK si gjykatë. Ne nuk merremi me vendime politike, nuk angazhohemi në argumente për çështjen e rasteve që tashmë janë trajtuar nga gjyqtarët, duhet ta përmbushim mandatin tonë sipas kushtetutës dhe ligjit për dhomat e specializuara, duke siguruar procedura të drejta, të pavarura dhe të paanshme, vendimet dhe aktgjykimet do të flasin, ky ishe edhe qëllimi i vizitës sime për t’iu informuar shkurtimisht se çfarë po ndodh, qëllimi është të angazhohemi në një shkëmbim transparent dhe të hapur të pikëpamjeve”.
“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, edhe ne e kemi të drejtën të mos përfshihemi në çfarëdo diskutimi politik, ne nuk jemi politikanë”, ka shtuar ajo lidhur me protestën e paralajmëruar për të kundërshtuar vizitën e saj, shkruan KP.
Kujtojmë se Partia Socialdemokrate (PSD) e ka anuluar protestën e paralajmëruar për sot e cila ishte planifikuar të mbahej kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në Gjilan.