Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar të mërkurën për konstatimin e një bakteri të rrezikshëm në disa prodhime të markës së salçiçeve Wudy që shiten në Shqipëri.
Pas këtij njoftimi, burime të teve1.info bëjnë të ditur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka filluar hulumtimin për të parë se a gjendet një produkt i llojit të tillë edhe në Kosovë.
Sipas burimeve, gjurmueshmëria për këtë produkt është duke u kryer te importuesi dhe pikat shitëse në vend.
Ndryshe, AKU bëri të ditur se bëhet fjalë për bakterin “Listeria monocytogenes”, i cili nëse futet në sistemin tretës mund të shkaktojë një mori problemesh.
Tutje, Autoriteti njofton po ndërmarrin masat përmes kontrolleve në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu.
“Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASSF (Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) pas analizave laboratorike të kryera në Itali është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55 duke përbërë risk me ndikim serioz për shëndetin e njeriut, në produktin. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas njoftimit të ardhur nga RASFF po ndërmerr të gjitha masat nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu”, njoftoi AKU.
Po ashtu, është bërë thirrje nga konsumatorët që mos t’i konsumojnë këto produkte dhe t’i kthejnë ato pranë subjekteve ku janë blerë./teve1.info/