Në qytetin e Mitrovicës çmimi i drunjëve për metër kub nga 30 euro sa ka qenë një vit më parë, është rritur në 60 euro.
Qytetarët të cilët konsiderojnë se ngrohja me drunjë është e vetmja mënyrë për të përballuar temperaturat e ulëta gjatë dimrit. Ata thonë se çmimi është i lartë dhe i papërballueshëm për ata, por megjithatë duhet të bëjnë ndonjë zgjidhje dhe t’i marrin ato.
Zejnullah Manxholli, qytetar nga Mitrovica, i cili kishte dalë në treg për të blerë drunjë, bëri të ditur se çmimi prej 60 eurosh për metër kub, është jashtëzakonisht i lartë dhe i papërballueshëm për të.
Ai u kthye pa kryer punë duke thënë se tani për tani nuk ka mundësi t’i blejë drunjtë, por u shpreh se së shpejti duhet të bëjë ndonjë zgjidhje për shkak të fëmijëve të vegjël që ka në shtëpi, andaj siç tha s’ka qare pa i blerë ato.
“Dola në treg sepse jam i interesuar për dru, por m’u dukën shumë shtrenjtë 60 euro dhe po më duken shtrenjtë për gjendjen çfarë është momentalisht në Kosovë. S’kam mundësi, shumë shtrenjtë, me këto rroga dhe pensione… Duhet me bë një zgjidhje diqysh, nuk kam qare pa i ble për shkak të fëmijëve…Drutë janë shtrenjtë momentalisht, meqenëse të gjitha artikujt janë ngritur, por drutë për së tepërmi mua po më duket”, ka thënë Manxholli.
Sabit Hasani, një mitrovicas tjetër i cili akoma nuk e ka zgjidhur çështjen e ngrohjes për këtë dimër, tha se çmimi i drunjëve është shumë i lartë.
Sipas tij, ata të cilët janë në marrëdhënie pune disi e zgjidhin problemin, por të tjerët që jetojnë me ndihma sociale dhe pensione, duke përfshirë edhe ato invalidore, e kanë shumë të vështirë, andaj apeloi tek institucionet që ta ndihmojnë këtë kategori të qytetarëve.
“Jo valla, akoma nuk kemi blerë dru…shtrenjtë po shkojnë 60 euro metra, kush punon prapë diçka bënë, por për ata që janë me social, shtrenjtë… Vitin e kaluar ka qenë çmimi i druve 30 euro, tash 60 u bë… E kisha lutë Bedri Hamzën me iu ndihmu këtyre që janë me ndihma sociale, pensione invalidore, me ju ndihmu komuna”, theksoi Hasani.
Edhe Bilall Shyti, pranon se çmimi i drunjëve është i lartë dhe i papërballueshëm për qytetarët.
Ai thotë se i ka siguruar drunjtë qysh në muajin qershor me çmim prej 45 eurosh, ndërsa ka bërë thirrje institucioneve ta ndihmojnë popullatën për ta tejkaluar këtë situatë të vështirë.
“Po më herët i kam marrë drutë, në qershor nga 45 euro kanë qenë, ndërsa tani shumë janë shtrenjtuar 55-60 euro dhe nën këtë çmim nuk mundesh me gjetë. Për popull është vështirë sepse kushtet janë shumë të rënda. Rrogat dhe pensionet janë shumë të vogla, ndërsa njerëzit e kanë shumë problem me gjallëru deri në fund të muajit. Qeveria duhet të marrë masa për me i ndihmu këtij populli për me tejkalu krizën… 60 euro një metër dru është shumë, mere me mend 10 metra 600 euro, sot është shumë vështirë me i siguru. Qysh me i siguru, pensioni është 200 euro, është problem”, u shpreh për KosovaPress Shyti.
Ndërkaq, dikush prej atyre që kishte dalë në treg për të blerë drunjë, çmimin prej 60 eurosh nuk e bënte problem.
Avdyl Bajrami, i papunë, por që ka katër fëmijë të cilët punojnë jashtë Kosovës, tha se drunjtë nuk janë shtrenjtë.
Ai shtoi se çmimet e të gjitha artikujve janë ngritur dhe jeta është bërë e shtrenjtë në përgjithësi, andaj edhe shitësit e drunjëve duhet të fitojnë sepse edhe ata kanë familje.
“Jo, ma merr mendja se nuk janë shtrenjtë drutë. Dikush po I mban 60 euro – 70 euro metrin, por ky kojshiu me tha se m’i lenë më lirë…Nuk punoj asgjë, varem nga fëmijët të cilët janë në diasporë,.. katër fëmijë… Jeta u bë e shtrenjtë, edhe këta duhet me përfitu diçka sepse edhe këta kanë familje”, tha Bajrami.
Në anën tjetër, shitësit e drunjëve nuk deshën të deklarohen para kamerës, por prapa saj thanë se “kush i shet drutë janë lirë, ndërsa për ata që i blejnë janë shtrenjtë”. Ata u arsyetuan se duhet shumë punë derisa t’i përgatisin ato për shitje, duke përmendur këtu prerjen e tyre, ngarkimin në kamion, pastaj transportin etj.