Me rastin e Shënimit të 20-Vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi mbajti një seancë solemne nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe të gjithë miqtë e ftuar mbajti një fjalë rasti.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës
I nderuari Kryeministër Haradinaj, Kabinet Qeveritar
Të nderuar mysafirë
E nderuara Familje Jashari
Familje të dëshmorëve dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
“Jemi mbledhur sot në këtë seancë të veçantë, në nderim të njërës prej sakrificave më të mëdha të popullit tonë për liri e pavarësi: sakrificës së Familjes Jashari nga Prekazi dhe Kryeheroit të Kosovës – Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Vitet po kalojnë, por kujtimi për 5 marsin e vitit 1998 mbetet monument i përjetshëm në zemrat e mbarë kombit tonë.
Mbetet dhembja dhe krenaria jonë njëkohësisht.
Atë ditë në Prekaz u ndryshua historia dhe epokat.
Epokës së pritjes dhe jetës së zymtë të nënshtrimit i erdhi fundi.
Nisi epoka e kryengritjes, epoka e ballafaqimit me të keqen, e triumfit mbi të keqen.
Epoka e çlirimit përfundimtar të Kosovës nga robëria njëshekullore.
Epoka e lëvizjes më të lavdishme që ka krijuar populli ynë në histori: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të nderuar të pranishëm,
Sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit.
Mesazhi i saj u flet shekujve dhe gjithë popujve: Asgjë nuk është më e çmueshme sesa liria.
Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz nxorën para gjithë botës të vërtetën e madhe të Kosovës:
Në njërën anë, kishim regjimin e egër serb të gatshëm për çdo lloj terrori, vetëm që të mbajnë nën sundim Kosovën. E në anën tjetër, popullin e saj, që kishte vendosur t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë robërisë.
Adem Jashari besonte se ëndrra për liri ishte më e fortë se terrori. Dhe historia i dha të drejtë atij.
Atë ditë, në Prekaz nisi fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë.
Ëndrra e Adem Jasharit dhe mijëra dëshmorëve të Kosovës u bë realitet.
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj
Në këto 20 vjet, Kosova ka shënuar të arritura të mëdha. Edhe skeptikët më të mëdhenj nuk mund t’i anashkalojnë ato.
Në përvjetorin e 10-të të rënies së Adem Jasharit, Kosova shpalli pavarësinë e saj
Sot, ne jemi një shtet demokratik:
Me standarde të larta të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Për herë të parë, si komb i rreshtuar drejt.
Partner i qëndrueshëm i aleancës veri-atlantike.
Dhe, të përkushtuar në rrugën e integrimeve evropiane.
Natyrisht, pjesë e rrëfimit tonë të suksesit janë edhe sfidat e mëdha që kemi përpara, sidomos ato të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Nisur nga kjo, konsideroj se në këtë ditë të madhe për kombin tonë, pyetja nuk është se çfarë bënë dëshmorët për Kosovën?
Secili nga ne, i madh e i vogël, e di përgjigjen në këtë pyetje: ata dhanë jetën, që ne të jemi të lirë.
Nuk ka akt më të lartë patriotik që dikush mund të bëjë për vendin e tij sesa ky.
Por sot shtrohet një tjetër pyetje: Çfarë po bëjmë ne të gjallët për Kosovën?
A jemi duke i kryer detyrat tona? A jemi duke e përmbushur siç duhet vullnetin e qytetarëve?
A jemi duke e respektuar veten tonë, shtetin tonë? A jemi duke punuar për të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi?
E vërteta është se kemi nevojë për një kthesë morale në mentalitetin dhe sjelljen tonë politike.
Të mendojmë më shumë për qytetarin. Ta pranojmë faktin se jemi në demokraci dhe nuk ka rrugë tjetër të ecjes përpara, përveç rrugës së komunikimit, kompromisit e konsensusit të përbashkët për interesat e vendit dhe të qytetarëve.
Besoj fuqishëm se nuk ka hendeqe të pakapërcyeshme mes nesh. Ne nuk jemi këtu për t’i dëshpëruar qytetarët, por për t’u dhënë atyre shpresë dhe argumente se ky vend është në rrugën e duhur dhe ka të ardhme të sigurt.
Ne do ta bëjmë këtë.
Natyrisht, së bashku, të udhëhequr nga amaneti i dëshmorëve dhe ëndrrat e fëmijëve të Kosovës për një të ardhme të sigurt dhe dinjitoze në atdheun e tyre.
I nderuar dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për Adem Jasharin, familjen e tij dhe gjithë dëshmorët e lirisë”.
Ju faleminderit!
Me pas fjala iu dha kryeministrit Ramush Aradinaj.
Të dashura familje dëshmorësh e heronjsh, familje të martirëve,
Shoqata të dala nga lufta,
Përfaqësues të familjeve të kategorive të lirisë,
E nderuara Familje Jashari, i dashur bacë Rifat Jashari
I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli
Të nderuar deputetë, kabinet qeveritar, media, kor diplomatik
Qytetarë të Kosovës, shqiptarë kudo që jeni.
Një jetë na është dhënë të gjithëve dhe një Atdhe!
Disa nga më të mirët tanë zgjodhën që jetën t’ia dhurojnë atdheut. Përpara frikës zgjodhën rezistencën, përpara poshtërimit zgjodhën kryengritjen, përpara dorëzimit zgjodhën shpresën.
Familja Jashari përshpejtoi kohën, përmbysi shekujt, ndërroi epokat dhe mbeti përjetësisht në kujtesën e kombit, si rast unik i flijimit për liri e dinjitet.
Historia thonë se është mësuesi më i mirë për aq sa ajo nuk na përsëritet.
Dhe, jam i bindur se ajo nuk do të përsëritet, përderisa jemi unikë dhe nuk kemi frikë ta shohim të sotmen dhe të nesërmen në sy.
Sot, kur po e shënojmë 20-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rënies së Jasharëve, komandantit legjendar Adem Jasharit, Hamzës dhe 21 anëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit, dhe gjithë të rënëve për liri, duhet të shohim së pari, ku jemi në raport me ndërtimin e shtetit modern, në raport me kategoritë e lirisë, familjet e dëshmorëve e të heronjve dhe në raport me invalidët e luftës.
Të shohim se sa ne politikanët u kemi qëndruar afër atyre familjeve në përballje me jetën e me të vërteten?
Historia na mëson që të lidhemi rreth idesë së Madhe të Shtetit Sovran, si kulm shtëpie për të gjithë ne. Për këtë shtëpi ranë në altarin e lirisë me buzëqeshje në fytyrë dhe krenari në shpirt, bijat dhe bijtë e zgjedhur të atdheut.
Njëzet vjet, pas flijimit heroik të familjes Jashari për lirinë e vendit, duhet të reflektojmë për të djeshmen, të sotmen dhe rrugën tonë drejt të ardhmes.
Brezat e rinj të shqiptarëve dhe miqtë e Kosovës na porosisin që ta ndërtojmë paqen për të gjithë, sepse ajo është më e vështirë se lufta, pra ta ndërtojmë një Kosovë të denjë për të gjithë qytetarët, të tillë çfarë e ëndërruan dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, pa dhunë e shtypje, pa padrejtësi e nëpërkëmbje.
Ne, kemi ecur njëzet vjet në liri dhe të arriturat janë të dukshme.
Por liria ka dimensione tjera: Liria, për të pasur një kulm mbi krye, një punë për secilin që dëshiron të punojë, një shtet, pasaportën e të cilit nuk e shohin tjerët me dyshim.
Prandaj nga këtu, i ftoj të gjithë shqiptarët, gratë dhe burrat, partitë politike dhe liderët e tyre si dhe komunitetet me të cilët bashkëjetojmë, për unitet institucional dhe kohezion shoqëror, për t’i mbrojtur idealet e lirisë, për të ndërtuar Kosovën e së ardhmes!
Kosovën ku të gjithë frymojnë lirshëm
Kosovën shtëpi e të gjithëve, pa dallim
Kosovën, ku qytetarët gëzojnë të drejtën e natyrshme të lëvizin lirshëm
Kosovën pjesë e familjes evropiane
Kosovën pjesë e NATO-s dhe e OKB-së
Ne synojmë një ekonomi prosperuese, si vlerë e shtuar e demokracisë, duke shfrytëzuar në mënyrë racionale resurset natyrore që na i ka falë zoti.
Investimi mbi një miliardësh në energji siguron pavarësinë energjetike të vendit, ndërsa 2018-a do të jetë Vit i Trepçës!
Do ta arrijmë një edukim cilësor që studentët tanë të konkurrojnë me dije në tregjet e punës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë!
Do të kemi shërbime shëndetësore moderne dhe ambient të shëndoshë.
Dhe ajo më kryesorja, shteti ynë do të jetë shteti i së drejtës!
Sot me respekt përulemi para të rënëve për liri.
Lavdi e përjetshme për të gjithë gratë e burrat, për të gjithë të rënët për liri të atdheut!
Lavdi e përjetshme për komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen Jashari!
Zoti e bekoftë kombin tonë.
Në përfundim të fjalës së kryeministrit, kryetari i Kuvendit deklaroi përfundimin e kësaj seance.