Pas më se katër vitesh, është kthyer pauza e rregullt (12:00 – 13:00), në Administratën Komunale në Gjilan, e me mbylljen e dyerve në këtë interval kohor, është kthyer edhe pamja e grumbullit të qytetarëve para dyerve të Administratës duke pritur orën 13:00, të hapet dera, siç shihet edhe në këto foto.
Përndryshe, për dallim prej drejtorive tjera, deri më sot Administrata nuk i kishte mbyllur dyert as në këtë kohë (12:00 – 13:00), pasi drejtuesit e saj kishin gjetur alternativë tjetër, duke pauzuar punëtorët parcialisht, dikush një orë më herët e dikush në kohë të rregullt, por që qytetarët që kanë kërkuar shërbime, i kanë pasur zyrtarë brenda, në çdo kohë, përgjatë orarit të punës.
E, ish drejtori i deridjeshëm, Nazim Gagica, nuk e sheh me sy të mirë këtë kthim të pauzës, për të gjithë në të njëjtën kohë, pasi dyert e Administratës po mbyllen për qytetarët për një orë, gjë që nuk kishte ndodhur sa ai ishte në krye të Administratës.
Siç dihet, Gagica, në zgjedhjet e fundit lokale kishte fituar ulëse në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe ishte liruar nga detyra e drejtorit, ashtu si e parasheh ligji.
Përndryshe, i pyetur nga Portali 2LONLINE, se si e sheh këtë veprim, ai tha se pas katër viteve, po mbyllen dyert e Administratës dhe kjo nuk është mirë edhe pse pauza nuk është e lehtë të menaxhohet, sidomos me staf të reduktuar.
Gagica thotë se megjithatë nuk është dashtë të rivendoset pauza prapë sepse u pamundëson marrjen e shërbimeve atyre që shfrytëzojnë pauzën e tyre për të marr shërbime, gjithashtu krijohen tollovi në Administratë sepse tani punohet një orë më pak, në krahasim me katër vitet e kaluara.
Po ashtu, Gagica thotë se në ora 12:00, duhet me i nxjerr të gjithë qytetaret jashtë për shkak të pauzës edhe pse qytetari në ato momente ka mundur të jetë para sportelit.
“Gjithashtu grumbullimi i qytetarëve para dyerve të administratës deri sa të hapen dyert, pra prej orës 12:00 – 13:00, jo vetëm që krijon tollovi, por është edhe jo e këndshme për sytë e qytetarëve. Ju kujtoj se eliminimi i pauzës është bërë më datë 27 shkurt 2014, e deri më sot, kur është kthye prapë”, ka thënë për 2LONLINE, Nazim Gagica, ish drejtor i deridjeshëm i Administratës Komunale.