Avni Rudaku shkruan:
Opozita e Kuvendit Komunal në Gjilan, përkatësisht partia më e madhe me numër ulësesh, LDK-ja, nuk duhet të merret me çështje tepër teknike si: “a është seanca e 8-të e 9-të?!”, “a është me vazhdime a pa vazhdime?!”, “a është seanca e vjetër apo e re?!”, në vend të problemeve të panumërta që shqetësojnë qytetarët. Shembulli më i thjeshtë: nëse bllokohet Kuvendi Komunal dhe Zyra e Kryetarit të Komunës, deri sa të ketë zgjidhje konkrete, urgjente, për problemin e kafshimit dhe traumatizimit të vazhdueshëm në Gjilan nga qentë endacakë, ka kuptim. Mirëpo, të bllokohet Kuvendi Komunal me tema koti, me fjalë odash, me të folur të vazhdueshëm të vetëm një anëtari, me të vërtetë irrituese. E sidomos, kur po kujton drejtuesi opozitar nga LDK-ja, se është bërë figurë e jashtëzakonshme politike, e nuk mbahet në mend me një rezultat konkret, me një sukses të vetëm gjatë qeverisjeve të deritashme lokale. Shembulli më i mirë do të ishte, bile të mos ndodhte që Mulliri Elektrik prej betoni në Gjilan, të mos ngulfatej, sepse as mjeku më i mirë i mushkërive urbane, nuk do të mund ta zgjidhte më problemin e vështirësive të frymëmarrjes, të këtij peizazhi të shëmtuar urban, apo “astmën e Mullirit”.
Rregulloret e Kuvendit duhet respektuar, por si opozitë e madhe ta gjesh një kauzë të tillë politike, me një gamë të gjerë problemesh, e të bësh kryeprioritet një çështje të tillë aq teknike, vërtet irrituese.
Bllokone Kuvendin për qentë endacakë, por jo për seancë me numër tetë a numër nëntë! Kot!