Janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se i përkasin biznesmenit Bedri Rexhepi, të zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar, kanë njoftuar Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës në një njoftim të përbashkët për media të premten.
Në komunikatë thuhet se janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e ‘Rrëmbimit’ të Bedri Rexhepit, me ç’ rast është “planifikuar që veprimet hetimore të bëhen edhe në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e personit në fjalë”.
“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’iu mbajmë të informuar, thuhet në komunikatë.
Sot, i dyshuari Jeton Vllasaliu ka pranuar fajësinë për rastin e zhdukjes së biznesmenit Rexhepi.
Bedri Rexhepi ishte zhdukur pasditen e 8 prillit të vitit të kaluar dhe herën e fundit ishte parë në Novobërde.
Informacionet të cilat deri tani kanë familjarët janë se Bedri Rexhepi me datën 8 prill 2021 është parë në Novobërdë dhe nga aty me asgjë nuk dihej për fatin e tij.
Madje vëllezërit e tij kishin kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët për gjetjen e Bedriut, për çka do të ofronin 20 mijë euro shpërblim. Por, as kjo nuk kishte rezultuar me gjetjen e tij deri më sot.