Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt.
“Prokuroria kërkon leje për të ndryshuar Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar për të hequr pretendimet për krime të kryera kundër së paku një viktime rreth [REDAKTUAR] 1999 në një shtëpi në ose përreth Ferizajt në komunën e Ferizajt (“Akuzat e Ferizajt/Uroševac”). Prokuroria shpjegon se vendosi të mos mbështetet në dëshmitë e [REDAKTUAR] dhe se konsideron se tani nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e Ferizajt/Uroševac. ZPS argumenton se amendamentet e kërkuara nuk paragjykojnë ose nuk janë në përputhje me të drejtat e të akuzuarve”, thuhet në shkresë.
Prokuroria ka kërkuar afat që deri sot të dorëzojë aktakuzën e re, të përmirësuar, pa pjesën e pretendimeve për rajonin e Ferizajt.
Tutje e njëjta kërkesë është konfirmuar nga Gjykata.
“Gjyqtari paraprak urdhëron Prokurorinë që të pasqyrojë tërheqjen e pretendimeve të Ferizajt, siç është përcaktuar në paragrafin 21 më lart, në aktakuzën e ndryshuar më tej të Ndryshuar të konfirmuar që do të ngrihet deri të premten, 30 shtator 2022”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar më 29 prill ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020 teksa më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.