Spitali Regjional në Gjilan është përfitues i donacionit në vlerë 5 milion euro për renovimin e objekteve, shkruan gazeta Shneta.
Projekti është fituar në kuadër të bashkëpunim me Agjencionin për Zhvillim të Luksemburgut – LuxDev e për të cilin drejtori i spitalit, Arsim Emini, tha se është një lajm jashtëzakonisht i rëndësisht për të gjithë qytetarët e kësaj ane.
“Spitali i Gjilanit në kuadër të bashkëpunimit me Agjensionin për zhvillim të Luksemburgut-LuxDev , në projektin KSV/017 ka përfituar donacion prej 5 milion euro për renovim të objekteve të spitalit dhe furnizim me paisje të nevojshme për spitalin” – e konfirmoi drejtori i spitalit për Gazetën Shneta i cili gjithashtu theksoi se për këtë projekt do të kontribuoj edhe Ministria e Shëndetësisë.
Ky projekt ka filluar në vitin 2017 dhe tashmë është vazhduar deri në vitin 2025.
Sipas drejtorit, master plani për renovimin e objektit të spitalit është në finalizim i cili është duke u përgatitur nga ekspertët e huaj “dhe pritet të përfundoj në fund të vitit”
“Është kërkuar: plani urbanistik i spitalit, planet e të gjitha objekteve, rrjeti i ujit, i kanalizimit, i ngrohjes, i rrymës, të dhënat e tërësishme klinike prej vitit 2018 mbi numrin e pacientëve dhe shërbimet e kryera, pajisjet mjekesore të cilat i kemi aktualisht në funksion”, tha Emini.
Emini u shpreh falënderues edhe ndaj Ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, për të cilin tha se ka kontribuar për këtë projekt./Gazeta Shneta/