Ka ndërruar jetë dhe është varrosur në vendlindjen e tij, Enver Selmani, jurist në pension.
Enver (Ramadan) Selmani lindi me 10 shtator 1944 në fshatin Likovë, ku edhe e kreu shkollën fillore.
Ai rrjedh nga një familje arsimdashëse, e cila nga gjiri i vet ka nxjerrë inxhinierë, mjekë, teologë dhe doktorë shkencash.
Për shkak të rrethanave të atëhershme të mungesës së arsimit të mesëm në gjuhën shqipe, ai ishte i obliguar të shkonte për t’i vijuar mësimet në shkollen e mesme ekonomike në Gjilan.
Pasi kreu shkollën e mesme ekonomike në Gjilan, vazhdoi studimet në fakultetin juridik në vitin 1964 dhe i mbaroi në vitin 1968.
Ishte juristi i diplomuar i parë në regjionin e komunës së Likovës dhe Kumanovës.
Enver Selmani ishte edhe pjesëmarrës i demostratave të vitit 1968.
Për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm të shqiptarëve, Enver Selmani, si jurist i diplomuar, nuk mundi të punësohej në Kumanovë, andaj qe i obliguar që të kërkojë punë diku në Kosovë.
Dhe, fatin e gjeti në Kombinatin e tekstilit “INTEGJ” në Gjilan, ku u punësua si referent për çështje juridike.
Falë vlerave të tij profesionale, në vitin 1972 zgjidhet drejtor i punëve të përbashkëta në Kombinatin e tekstilit në Gjilan, funksion ky që e ushtroi me shumë sukses për 8 vjet radhazi.
Në vitin 1980 u zgjodh drejtor i Shërbimit të kontabilitetit shoqëror, i njohur si Banka Popullore e Kosovës për komunat e Gjilanit, Kamenices dhe Vitisë.
Këtë funksion Enver Selmani e ushtroi deri në vitin 1989, kur u diferencua ideopolitikisht nga sistemi diskriminues serbosllav i instaluar ateherë në Kosovë, pas ndërrimeve kushtetuese me dhunë.
Po në këtë vit, ai shkarkohet nga pozita e drejtorit nga regjimi serbosllav, për shkak të mospajtimeve të tij me politikën e atëhershme të Sërbisë.
Enver Selmani gjatë veprimtarisë së vet gjithnjë ishte i lidhur për vendlindje dhe gjithmonë ka qenë në mbështetje të bashkëvendasve nga rajoni i Kumanovës.
Falë punës dhe veprës e tij, Enveri edhe sot e kësaj dite kujtohet me pietet të lartë në Gjilan dhe rrethinë.
Më 3 shtator 1990 Enver Selmanin e largojnë nga puna sikurse mijëra shqiptarë të tjerë.
Si mbetet tjetër pos të kthehet në vendlindje, ku gjashtë vite i kaloi pa punë.
Në vitin 1996 punësohet në Entin për qarkullimin e pagesave në Shkup, ku punoi deri në vitin 2002.
Prej vitit 2002 deri në pensionim punoi në Qendrën ndërkomunale për punë sociale në Kumanovë.
I ndjeri ka qenë axha i dr. Rexhep Selmanit, ish ministrit te shendetesise. /Ilir Selmani/