Asociacioni i Komunave të Kosovës ka propozuar sot që kompensimi i orëve të humbura mësimore të bëhet çdo ditë pune me nga një orë shtesë.
AKK-ja i ka dërguar sot kërkesë Ministrisë së Arsimit, duke i thënë se kompensimi i orëve të humbura të mësimit, nuk duhet të bëhet ditëve të pushimeve të rregullta (fundjavave).
Sipas tyre, vijimi i mësimit pa ndërprerje gjatë pushimeve do të krijonte ngarkesë për fëmijët dhe familjet e tyre, çka në mënyrë të drejtpërdrejt do të ndikonte në rënie të cilësisë dhe motivit për mësim.
“Do të shtonte shpenzimet për ngrohje dhe mirëmbajtjen e saj, tash kur në këtë kategori shpenzimesh, ato po njohin ritme të larta si kosto, çka dëmton buxhetet komunale. Madje, veprimi në këtë formë, përveç rritjes së kostos financiare për ngrohje, rrit edhe shpenzimin e energjisë elektrike, çka bie ndesh me masat qeveritare për kursimin e energjisë. Dihet se funksionimi i ngrohjeve në shkolla, tash e sa kohë është kryekëput i varur nga furnizimi me energji elektrike, andaj mungesa e energjisë elektrike apo reduktimet me orare të gjata, do të pamundësonin funksionimin e sistemit të ngrohjeve në shkolla, rrjedhimisht do të krijonin pamundësinë e zhvillimit normal e të plotë të procesit mësimor”, ka thuhet në kërkesën e AKK-së.
Transporti publik është një tjetër argument i AKK-së pse kompensimi i orëve të humbura nuk duhet të bëhet të shtunave. Sipas tyre, kjo do t’i shtonte kostot e nxënësve të cilët përdorin transportin publik për në shkollë, në kohën kur edhe në këtë sektor janë rritur çmimet.
“Si dhe probleme e sfida të natyrës teknike, organizative të cilat do të vështirësonin e në raste të caktuara të pamundësonin zhvillimin e procesit mësimor, andaj sa më sipër, gjykuar nga kjo situatë”, thuhet në kërkesën e AKK-së.
Sektori i arsimit ishte në grevë që nga 25 gushti, ndërkaq, SBASHK-u pezulloi grevën javën e kaluar. /teve1.info/