Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjilan, Aurorë Osmani: 10 Tetori, Dita Botërore e Shëndetit Mendor
Në të gjithë botën data 10-të i këtij muaji, njihet si dita botërore e shëndetit mendor.
Këtë datë le t’ia atribuojmë jo vetëm personave me çrregullime, por gjithashtu përkujdesjes për shëndet mendor.
Le të informohemi më shumë për sfidat përgjatë jetës që njeriun e përballin emocionalisht e mendërisht. Le të diskutojmë për prindërimin si proces në vete, le të vetëdijesohemi për këshilla profesionale, le të ju japim hapësirë adoleshentëve të shprehin preokupimet e tyre, e gjithashtu le të kenë edhe rolin e vet mosha e tretë, apo siç njihet në popull pleqëria!
Të gjitha këto etapa përbëjnë specifikat e veta, andaj le të trajtohen me vëmendje e delikatesë.
Asesi mos të harrojmë që mendorja, emocionalja, janë procese tejet të rëndësishme që kërkojnë vëmendje e mirëmbajtje të veçantë.
Për një shoqëri më pak të stresuar, për individë më pak euforik, e veçmas për personalitete të forta qe ju bëjnë ballë tundimeve.
Përderisa në botë trendi i përmirësimit të mirëqenies së shëndetit mendor, kahjen e ka adresuar tek përmirësimi i kushteve të punës, ambientit të punës, marrëdhënies me punëdhënësin e kolegët, për më tepër kjo çështje trajtohet edhe në aspektin e shërimit, dhe jo vetëm. Nga humbja e produktivitetit e deri tek abuzimi me substanca narkotike, që cilësohen disa nga pasojat e ambietit helmues.
Nëse rikthejmë vëmendjen kah zhvillimet në vendin tonë, atëherë duhet të flasim për gjëra thelbësore, e njëra prej tyre është komunikimi i drejtë me të tjerët.
Në ketë pikë përfshihet çdokush e gjithçka.
Komunikimi në familje; karshi prindërve dhe fëmijëve, burrit dhe gruas, mësuesit dhe nxënësit, kolegëve, madje edhe në instanca tjera, duke iu referuar edhe dhënies së intervistave.
Për shembull qasja në publik, mesazhi i dhënë dhe transmetimi i drejtë i tij. Pasja parasysh e audiencës, të menduarit që paraqitja publike mund të ndikojë në krijimin e imazhit te të tjerët, marrja model etj.
Jo vetëm kot, është rritur numri i rasteve kriminale, me shumë se kurrë më parë tek adoleshetët. Peripecitë e kësaj periudhe zhvillimi siç janë menduarit hipotetiko-abstrakt, imazhi trupor dhe vetjak, vetë-koncepti, vetë-vlerësimi, formimi i besimit, zhvillimi social, tranzicioni në moshën e rritur etj, që të gjitha shoqërohen me sfida në vetvete, ku mund të jenë më të lehta ose më të rënda, varësisht ndikimit të bashkëmoshatarëve. Edukimi mbi këto çështje është krucial për një zhvillim të shëndoshë psikologjik, dhe personalitet të shëndoshë.
Prandaj në ditën e shëndetit mendor, le t’i kushtojmë rëndësi të veçantë këtyre proceseve jetike të gjithësecilit, në mënyrë që shoqëria jonë të ketë më tepër ‘kulturë’ në trajtimin e tjetrit, duke i pas parasysh elementet e veçanta që gjithësecili nga ne mund t’i ketë.
OBSH-ja, thotë që një në katër persona të paktën një herë në jetë ka përjetuar një lloj mosfunskionimi normal. Ky fakt tregon që ne të gjithë mund të jemi pre e ndonjë të ashtuquajturi çrregullim.
Prandaj, shpresoj që kjo e dhënë të shërbejë si tregues që paragjykimi për persona të tillë nuk është asgjë më shumë veçse mungesë informacioni mbi temë, dhe se paragjykimi nuk do të shërbejë asgjë, përpos rritjes së ndjenjës së fajit, turpit, mungesës së shpresës dhe skepticizmit nga ana e personit për të kërkuar apo pranuar ndihmë.
Andaj, kjo ditë le të shërbejë si promovim dhe fuqizim i faktit që shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik.
Fundja, them që trupi i shëndetshëm është në mendjen e shëndetshme.