Komisioni Evropian do të miratojë më 12 tetor paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.
Sipas burimeve të BE-së në Bruksel, raportet e sivjetme do të jenë një përzierje e elementeve pozitive, por edhe e shqetësimeve për mungesë të progresit në disa fusha, si dhe e disa dështimeve.
Komisioni Evropian pritet të përmendë nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si zhvillimin kryesor pozitiv në procesin e zgjerimit të bllokut me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Me vite, këto dy shtete kandidate kanë qenë në pritje të nisjes së negociatave, edhe pse, sipas Komisionit Evropian, i kanë pasur të përmbushura të gjitha kushtet.
Greqia ka hequr në verë pengesën e fundit ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila ka pasur të bëjë me disa mospajtime rreh gjuhës dhe identitetit. Rrjedhimisht është hapur rruga edhe për Shqipërinë, meqë dy vendet kanë qenë në paketë qysh në fillim.
Komisioni Evropian pritet të konfirmojë përmes raportit të progresit se Kosova vazhdon t’i përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave me vendet evropiane dhe se Komisioni mbetet në qëndrimin se vizat për qytetarët e Kosovës duhet të hiqen.
Një gjë të tillë, Komisioni e ka shprehur edhe në një letër dërguar vendeve anëtare javën e shkuar, në prag të diskutimeve që do të zhvillohen më 13 tetor në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së.
Nga porositë politike për rajonin e Ballkanit pritet, po ashtu, që Komisioni të ftojë Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, që do të çonte drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Për pothuajse të gjitha shtetet e rajonit pritet të përsëritet thirrja për më shumë përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për forcimin e sundimit të ligjit, për reformat e gjyqësorit dhe për lirinë e mediave.
Ndonëse ka një lloj progresi në këto fusha, Komisioni Evropian vlerëson se në të shumtën e rasteve zbatimi i reformave është në fazën fillestare.
Komisioni do të raportojë në këto dokumente edhe për sfidat e vendeve të rajonit në furnizimin me energji elektrike, si dhe për bashkëpunimin e tyre me BE-në në këtë drejtim.
Kureshtja më e madhe e diplomatëve në Bruksel është se si do t’i formulojë Komisioni Evropian kritikat që do t’ia bëjë Serbisë, për shkak të mospërshtatjes së qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së, përkatësisht mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Serbia është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit dhe, krahas Turqisë, i vetmi vend i përfshirë në procesin e zgjerimit të BE-së, që nuk i ka mbështetur sanksionet e bllokut kundër Rusisë. Pritet që në raportin e progresit, Komisioni ta shënojë këtë si dështim të Serbisë.
Një vend tjetër i rajonit, i cili do të ketë fokus të veçantë në paketën e zgjerimit këtë vit, është Bosnje e Hercegovina.
Komisioni Evropian pritet të shprehë zhgënjim për dështimin e forcave politike në këtë vend për të arritur një marrëveshje për reformat e sistemit zgjedhor, si dhe për reformat e kufizuara kushtetuese.
Për këtë shkak, në ditën e zgjedhjeve në këtë shtet, më 2 tetor, përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnje e Hercegovinën, Christian Schmidt, është detyruar t’i përdorë kompetencat e tij dhe të imponojë disa ndryshime.
Raportet vjetore të progresit analizojnë në detaje arritjet e secilit vend në fushat dhe kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.
Vendet e rajonit ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit. Mali i Zi ka avancuar më së shumti dhe i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave.
Serbia pason si shtet që është në procesin e negociatave, por këtë vit nuk ka hapur, deri më tash, asnjë kapitull të ri.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sapo i kanë nisur negociatat, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE, por akoma nuk ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë kërkesën formale këtë vit, por në BE nuk janë të sigurt se si do të veprojnë, pasi Kosova nuk është njohur si shtet nga pesë vende anëtare, ndërsa vendimet në procesin e zgjerimit merren me konsensus të plotë.
Turqia është një vend tjetër kandidat për anëtarësim në BE, për të cilin do të miratohet po ashtu raporti i progresit. Por, me këtë shtet, procesi i negociatave është i ngrirë dhe Komisioni, për disa vite radhazi, ka raportuar se Turqia ka shënuar kthim prapa në përmbushjen e kushteve për anëtarësim dhe përafrimin e saj me standardet evropiane.
Në qershor, në procesin e zgjerimit janë përfshirë edhe tri shtete të fqinjësisë lindore evropiane. Ukraina dhe Moldavia kanë marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa Gjeorgjisë i është premtuar “perspektiva evropiane”. /Rel