Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se janë sekuestruar përkohësisht rreth 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës.
Përmes një njoftimi për media, nga Prokuroria kanë bërë të ditur se këto objekte janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind (100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”, thuhet në njoftim. /teve1.info/