Çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë kanë pësuar rënie në muajin shtator krahasuar me muajin gusht të këtij viti, derisa kanë shënuar rritje çmimet e lëndëve djegëse për ngrohje, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës, raporton teve1.info
Megjithatë, sipas ASK-së, produktet e konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje prej 12,7 për qind në muajin shtator, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2%) në muajin shtator 2022, krahasuar me muajin gusht 2022. Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (9.2%); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (2.5%); perime (2.0%); etj.”thuhet në komunikatë.
Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.7% në muajin shtator 2022, krahasuar me muajin shtator 2021.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (60.2%); vajra dhe yndyra ushqimore (49.7%); bukë dhe drithëra (33.5%); qumësht, djathë dhe vezë (25.8%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (24.7%); gaz (23;9%); mish (22.3%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (21.1%); kafe, çaj dhe kakao (17.9%); etj.”, thuhet në njoftim.