Kryetarët e komunave kanë dalur me një propozim për kompenzimin e orëve të humbura, duke rekomanduar orë shtesë brenda ditëve të punës, raporton Gazeta10.
Në letrën drejtuar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, nga kryetarët e komunave thuhet se vijimi i mësimit pandërprerje do të krijonte ngarkesë.
Më tej, aty janë përmendur edhe disa arsye të tjera përse ky opsion nuk do të ishte i përshtatshëm.
“Vijimi i mësimit pa ndërprerje gjatë pushimeve do të krijonte ngarkesë për fëmijët dhe familjet e tyre, çka në mënyrë të drejtpërdrejt do të ndikonte në rënie të cilësisë dhe motivit për mësim. Do të shtonte shpenzimet për ngrohje dhe mirëmbajtjen e saj, tash kur në këtë kategori shpenzimesh, ato po njohin ritme të larta si kosto, çka dëmton buxhetet komunale. Madje, veprimi në këtë formë, përveç rritjes së kostos financiare për ngrohje, rrit edhe shpenzimin e energjisë elektrike, çka bie ndesh me masat qeveritare për kursimin e energjisë”, thuhet ndër të tjera në letër drejtuar Nagavcit.
Tutje, në këtë letër thuhet se kryetarët e komunave shpresojnë që do të rishikohet vendimi për kompenzimin e orëve si dhe do të merren parasysh propozimet e bëra.
“Që kompensimi i orëve të humbura të mësimit për shkak të grevës së përgjithshme në arsim, të bëhet duke i shtuar nga pesë orë pune për çdo nxënës brenda javës në kuptim të ditëve të rregullta të punës, ashtu që do të përballohej më lehtë për të gjithë pjesëmarrësit në proces mësimor si dhe do të garantonte standardet e kërkuara për zhvillimin normal të procesit mësimor, për të cilën janë shprehur pajtues udhëheqësit komunal. Duke besuar në gatishmërinë tuaj për të rishikuar vendimin tuaj për kompensimin e orëve të humbura të mësimit, presim shqyrtimin e përfshirjen e propozimeve tona për këtë çështje që na preokupon të gjithëve”, thuhet në letrën e AKK-së.