Policia e Kosovës ka shtuar sigurinë e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Ministri Peci është vënë nën përcjellje policore nga dita e mërkurë e 12 tetorit, ka konfirmuar këshilltarja e tij, Flutur Mustafa.
Mustafa ka thënë të mërkurën se shtimi i sigurisë personale të ministrit ndërlidhet me denoncimet e tij lidhur me keqpërdorimin e disa pronave të Ministrisë së Bujqësisë.
“Përcjellja e policisë është reflektim dhe vlerësim i institucioneve përgjegjëse, ndaj seriozitetit të situatës. Pas adresimit publik te Ministrit gjatë ditës së djeshme lidhur me dyshimet e keqpërdorimeve me pronat e Ministrisë së Bujqësisë, tanimë është në duart e organeve të rendit dhe drejtësisë ta bëjnë punën e tyre ndërsa Ministri do vazhdojë të bashkëpunojë, në çdo hap të hetimeve”, tha Mustafa për Nacionale.
Ministri Peci, të martën ka thënë se kanë gjetur një mori skandalesh në Institutin Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk është abuzuar vetëm me subvencione, por edhe në menaxhimin e pronave.