Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Pejë që dënoi me 7 vite e 6 muaj burgim të akuzuarin Shaban Gogajn, për vrasjen e Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.
Haxhiu ka thënë se sikur opinioni publik edhe ajo është e shqetësuar me mënyrën e administrimit të këtij procesi, si dhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm.
Sipas saj, ky vendim është i padrejtë dhe skandaloz.
“Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm. Është vendim i padrejtë e skandaloz!”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.
Po ashtu, ajo ka bërë thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për vrasjen e Agonis Tetaj dhe të jepen vendime meritore.
“Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore. Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo!”, tha më tej ajo.