Sot Gjykata Themelore në Pejë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim të akuzuarin Shaban Gogajn, për vrasjen Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Albesa Cacaj, bashkëshortja e Agonis Tetajt. Ajo ka thënë se kjo nuk është drejtësia që familja e viktimës e kanë pritur.
“Sot, gjykata dha verdiktin e saj për vrasjen e bashkëshortit tim, Agonis Tetaj. Kjo nuk është drejtësia të cilën e kemi pritur dhe shpresuar ne si familje! Ne presim nga Gjykata e Apelit që ta vendos drejtësinë duke dhënë dënimin adekuat, për vrasjen e bashkëshortit tim dhe babait të dy fëmijëve të mi, Lisit dhe Blinit. Për ne ditët janë të gjata e vitet e dhimbjes po rriten, tashmë kaluan 4 vite dhimbje e sfida nga më të ndryshme!”, ka shkruar Cacaj.
Ajo më tej ka thënë se dënimi i Shaban Gogajt me 7 vite e 6 muaj burg nuk është drejtësi, prandaj ajo ka kërkuar që Prokuroria të parashtrojë ankesë dhe që Gjykata e Apelit të vendosë drejtësinë e merituar.
“Kjo veç drejtësi nuk është! Andaj, Kërkoj publikisht nga Prokuroria e Shtetit që të parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit, nga e cila presim që të vendos drejtësinë e merituar”, ka shkruar ajo.
Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.