Shkruan: Avni Rudaku
Sot ishte ditë e shtunë e me mot të mirë – me diell që shkëlqente shumë e rreze që na ngrohnin bash për vitamina natyrale, mot i përshtatshëm për të ecur. I mora tri mbesat për ta vizituar Muzeun Rajonal të Gjilanit në anën e kundërt të Postës së Madhe dhe Muzeun Etnografik tek objekti i shkollës së muzikës, dy objektet më të bukura tradicionale të Gjilanit. Edhe para nisjes, e kisha bindjen se ishin të mbyllur, por hajt ta provonim! Nëse nuk ishte i hapur, bile njëri muze, kishte mjaft pastiçeri të hapura! Dhe ashtu bëmë: muzetë mbyllur, drejt e te pastiçeria në sheshin e ri. Teksa ia shpjegova mbesave se kur punojnë muzetë në vende të ndryshme evropiane e të botës, vendosa që më vonë do ta publikoja një shkrim për të sugjeruar hapjen e muzeve në fundjavë e të mbylleshin të hënën, apo edhe dy ditë, të hënën dhe të martën të pushonin punëtorët, e në fundjavë të punonin.
Në shumicën e vendeve që kam vizituar muzetë, prej Gjermanisë e deri në Kinë, zakonisht muzetë, të hënën e mbajnë ditë pushimi. Ka shumë arsye, por njëra nga to është se, pas vizitave të shumta në fundjavë, ka nevojë për pastrim më të lirshëm të hapësirave pa vizitorë brenda, lëvizjen e një objekti prej një vendi në vendin tjetër etj. Arsye tjetër është se, punonjësit mund të marrin një ditë pushim nga shtatë ditë punë në javë. Në shumicën e muzeve në Kosovë, funksionon kështu, me mbyllje në fundjavë, madje edhe në Malishevë, si komunë e qytezë, nuk punonte muzeu në fundjavë. Fatkeqësisht, shpresa se gjenerata e re e politikanëve lokalë, do të jetë më reformatore, më risisjellëse në Gjilan, shprehet edhe te këto gjëra në dukje të vogla teknike: mosvazhdimin e muzeve, të jenë të mbyllur në fundjavë. Duhet një qasje tjetër. Një politikë tjetër. Duhet një riorganizim, një bashkëpunim i fuqishëm me shkollat dhe me institucionet e ndryshme lokale. Ka edhe shumë muze që hapen çdo ditë për vizitorë, por ato kanë buxhet, kapacitet, resurse, traditë dhe miliona vizitorë. Por pavarësisht se jemi vend i vogël, me pak vizitorë të huaj, me emigrim masiv, me zhvillim të dobët e të ngadalshëm ekonomik, me sfida në edukim cilësor dhe aktivitete të ngathta jashtëkurrikulare, duhet të hapim muzetë në fundjavë, e t’i mbyllim të hënën, apo edhe të martën.