Ministri Murati ka bërë të ditur se janë ekzekutuar pagat me shtesë prej 100 eurosh për pensionistët. Ai ka thënë se kjo shtesë është e treta brenda 12 muajve.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është bërë ekzekutimi i pagave për pensionistët me shtesën e njëhershme prej 100 eurosh për muajin tetor.
Murati ka thënë se nga këto shtesa kanë përfituar 233 mijë pensionmarrës.
“Kjo përbën shtesën e tretë brenda 12 muajve të fundit që si qeveri kemi bërë për të mbështetur pensionmarrësit – në nëntor të vitit të kaluar, në prill të këtij viti, dhe tani, në tetor”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas tij, 300 euro më shumë për secilin pensionmarrës brenda një viti nënkupton 25 për qind më shumë mbi pensionin bazik.
Kjo pagesë ishte paraparë të bëhej të hënën, por për shkak të verifikimit të aplikuesve për masën e 100 eurove, Ministria e Financave kishte bërë të ditur se pensionistët do ta marrin pagesën një ditë me vonesë, pra të martën e 18 tetorit.