Shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në seancën e mbrëmshme për punën e UNMIK-ut, shprehën qëndrime të ndryshme për rezultatin final të çështjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe situatës në vend.
Derisa përfaqësuesi amerikan, Robert Wood, gjatë shqyrtimit të raportit të ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e UNMIK-ut, tha se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje reciproke, jo të gjithë anëtarët e përhershëm patën qëndrim të njëjtë.
“Angazhimi serioz dhe urgjent ndërmjet palëve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja është i nevojshëm për të arritur normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke. Dua të përgëzoj angazhimin e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak me të dy palët. Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara ngushtë me të dhe partnerët tanë evropianë në mbështetje të dialogut”, u shpreh Wood, raporton Klankosova.tv.
Përfaqësuesi amerikan tha se shpreson që të arrihet një konsensus për targat, ndërsa shtoi se pret edhe diskutim serioz për themelimin e mundshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
ShBA-ja për shfuqizimin e UNMIK-ut
Në seancën ku u diskutua raporti i Guterresit për periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2022, përfaqësuesi amerikan deklaroi se UNMIK-u kishte një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në të kaluarën, por se misioni i OKB-së ishte bërë i tepërt në ndërkohë.
“Ne jemi të zhgënjyer që Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk bëri më shumë për të shfuqizuar UNMIK-un, duke pasur parasysh se kemi prioritete shumë më të rëndësishme”, shtoi Wood.
Përfaqësuesi amerikan tha gjithashtu se nuk ka nevojë të mbahen seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën çdo gjashtë muaj, por një herë në vit.
Rusia: Kosova “pikë kyçe e tensionit” në Ballkan, UNMIK-u duhet të vazhdojë
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, tha se Kosova mbetet një “pikë kyçe e tensionit” në Ballkan dhe shtoi se situata kërkon “vëmendje të plotë” nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe komuniteti ndërkombëtar.
Ai tha se për këtë është e nevojshme të vazhdohet me angazhimin e UNMIK-ut, si “garantuesi më i rëndësishëm i sigurisë” në Kosovë, njofton Klankosova.tv
Nebenzya tha se që nga viti 1999 ka pasur një “shkelje të vazhdueshme të të drejtave të serbëve” në Kosovë dhe se po inkurajohet një “atmosferë e urrejtjes ndaj serbëve”.
Ai përsëriti se pozicioni status neutral i Brukselit në dialog është i diskutueshëm.
“Askush nuk u përpoq ta detyrojë Prishtinën të zbatojë marrëveshjet e arritura, madje as Bashkimi Evropian si ndërmjetësues”, tha Nebenzya, transmeton Klankosova.tv.
Përfaqësuesi rus kritikoi vendet perëndimore, duke thënë se ata “veprojnë sikur Rezoluta 1244 nuk ekziston” dhe se “vazhdojnë të përgatisin opsione alternative për zgjidhje në favor të Prishtinës”.
Britania e Madhe: Rishikoni formën e aktiviteteve të UNMIK-ut
Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, Fergus Eckersley, tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është “me rëndësi vendimtare” dhe shtoi se Londra ofron mbështetje të plotë për dialogun nën patronazhin e BE-së.
Ai tha se “mirëpret angazhimin e shtuar” të Kosovës në raport me komunitetet pakicë dhe shtoi se dialogu ndërmjet komuniteteve është “çelësi për stabilitetin e Kosovës si shtet multietnik”.
Eckersley tha se Londra inkurajon Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë një angazhim të tillë, veçanërisht me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë për të zgjidhur çështjet e hapura.
Përfaqësuesi britanik deklaroi se UNMIK-u ka pasur një rol të rëndësishëm në përparimin e Kosovës, por se situata sot është krejtësisht ndryshe në krahasim me vitin 1999, kur misioni i OKB-së filloi punën e tij.
Ai shtoi se prandaj “është koha që të rishikohet tërësisht forma e veprimit dhe roli” i UNMIK-ut në Kosovë.
Franca kërkon konstruktivitet për targat
Përfaqësuesi i Francës theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se nga kjo varet e ardhmja e BE-së.
Tutje tha se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen plotësisht dhe shtoi se duhet të shmangen veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.
“I bëjmë thirrje të dyja palëve që të tregojnë një frymë konstruktive, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje aktuale si energjia dhe targat”, tha përfaqësuesi i Francës.
Kina: Respektoni integritetin territorial të Serbisë
Përfaqësuesi i Kinës, Geng Shuang tha se Pekini i mbështet të dyja palët në përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shtoi se “integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë duhet të respektohet plotësisht”.
Ai tha se Kina u bën thirrje të dyja palëve, “veçanërisht autoriteteve të Kosovës”, të tregohen të përmbajtur dhe të përmbahen nga lëvizjet e njëanshme.
Shuang tha se Këshilli i Sigurimit duhet të mbajë vëmendjen e tij për çështjen e Kosovës dhe se UNMIK-u duhet të vazhdojë punën e tij në përputhje me Rezolutën 1244. /Klankosova.tv