Inspektorati Komunal në Kamenicë ka rrënuar një objekt të ndërtuar pa Leje Ndërtimore në lagjen “Jehona”, rruga “Hasan Prishtina” numër 112.
Ky objekt është rrënuar nga Inspektorati duke u bazuar në Aktvendimin me numër Sh.02 Nr.33642 të datës 18.10.2022, ku thuhet se:
“Aktvendimi i sektorit të Inspektoratit nr.18374 i datës 14.06.2022 është bërë i formës së prerë- i ekzekutueshëm më 02.07.2022.
Ekzekutimi i vendimit bëhet më datë 19.10.2022”.
Po ashtu në këtë aktvendim citohet se:
Nëse pala në mënyrë vullnetare e rrënon objektin e ndërtuar pa Leje Ndërtimore i jepet mundësia që rrënimin ta bëjë deri më datë 18.10.2022.
Ndërsa sipas Inspektoratit pala e cila ka ndërtuar objektin pa Leje ndërtimore ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.
Ndër të tjera sipas Inspektoratit Komunal zona në të cilën është ndërtuar objekti pa Leje Ndërtimore është zonë e destinuar për tokë pjellore dhe nuk lejohet ndërtimi.