Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka pranuar një kërkesë nga familja e biznesmenit Bedri Rexhepi, që të mos bëhen publike detajet e vrasjes, raporton Express.
Duke u bazuar në këtë kërkesë, Prokuroria ka kërkuar mirëkuptimin e mediave në plasimin e informatave të detajuara në publik lidhur me këtë çështje.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton të gjitha mediat lidhur me kërkesën të cilën e ka pranuar nga familjarët e të ndjerit Bedri Rexhepi, për të treguar mirëkuptim në paraqitjen e detajeve të këtij rasti kaq të ndjeshëm, pasi çdo detaj i rastit në fjalë i cili është duke u plasuar në opinionin publik është duke iu shkaktuar dyfishin e dhimbjes të cilën ata janë duke e përjetuar tani, andaj me kërkesë të familjes Rexhepi kërkojmë mirëkuptimin e secilit medium në plasimin e informatave të detajuara në publik lidhur me këtë çështje, duke e balancuar në njërën anë punën profesionale dhe në anën tjetër gjendjen shpirtërore të familjes”, thuhet në kërkesë.
Prokurori Armend Hamiti të martën konfirmoi se mbetjet mortore që u gjetën në Novëbërdë janë të biznesmenit Bedri Rexhepi.
Ai tha se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.
“Kam arritur të vërtetoj dhe kam ngrit aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprave vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i kufomave. Motivi i kryerjes së këtyre veprave është i ulët. Sipas hetimit tonë, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, për 30 mijë euro”, ka deklaruar Hamiti të martën.
Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.
Të dyshuar për këtë rast janë Nexhat e Jeton Vllasaliu.