Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të del e pastër, siç e quajti ai, nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia. Këto komente ai i bëri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ka përmendur kontributin e Rexhep Selimit në partinë që ai drejton, raporton Gazeta10.
Kurti gjatë së dielës ka kritikuar edhe ish-partnerin qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku tha se qeveria u rrëzua si shkak i paqëndrueshmërisë së kësaj partie. Derisa ka përmendur arritjet gjatë mandatit të tij, Kurti tha se ‘vidhet shumë më pak’.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se përkundër zgjedhjeve të shpeshta qendrore, ka pasur stabilitet në partinë e tij. Edhe pas daljes së shumë deputetëve nga Vetëvendosje, Kurti tha se partia që drejton vetëm se është rritur.
“Më 21 janar 2018, Lëvizja i ka pasur 29.633 anëtarë. Në atë kohë ju e mbani mend, pati një sërë dorëheqjesh në nivele të larta të organizatës dhe të grupit parlamentar. Sot ja ku jemi, pas katër vjetësh, Lëvizja i ka 59.882 anëtarë, të regjistruar e të verifikuar. Pra kemi pasur dyfishim të anëtarësisë. Në qershor 2018, Lëvizja i ka pasur 307 pika, ndërsa sot ka 485 në të gjithë Kosovën, që do të thotë se për katër vjet janë shtuar 178 pika të reja. Gjatë katër vjetëve të shkuara i kemi pasur disa momente kulmore. Në shtator 2018, në Prishtinë është mbajtur protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës, me sloganin ‘Një popull s´i nënshtrohet një njeriu’. Në pranverën e vitit 2019 e kemi pasur fushatën masive në të gjithë Kosovën, kundër PAN-Hajnisë”, ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe rreth qeverisë që ai drejtoi në mandatin e parë, ku ishte në pushtet vetëm 50 ditë, e për çka fajin e barti tek ish-partneri qeverisës LDK, të cilin e quajti të paqëndrueshëm.
“Qeveria Kurti 1, siç po e quajnë ata që kanë qejf të numërojnë, nuk zgjati shumë sepse na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore dhe kombëtare. Por, gjatë atyre muajve që qëndruam në drejtim, e luftuam drejtpërdrejt korrupsionin, e mbrojtëm Kosovën, duke hequr nga bordet ata që s´e meritonin, duke rezistuar suksesshëm projektin për shkëmbim territorial, dhe duke vendosur gjithandej profesionistë të ndershëm e duke e afruar popullin, i cili e donte Republikën më shumë se çka do tjetër. Në shkurt 2021, fituam sërish zgjedhjet, kësaj radhe me rezultat historik, që nuk ka precedent në Kosovë. E sot e kemi qeverinë sërish nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje, në aleancë me Guxo e Alternativën, që po e quajnë Qeveria Kurti 2, ata që kanë qejf të numërojnë. Nuk do t´ua prishim qejfin, nuk do t´ua ndalim numërimin”, ka vijuar Kurti.
Kurti përmendi edhe zgjedhjet lokale, për të cilat pranoi se nuk kishte performancë të mirë. Më tej, kryeministri Albin Kurti tha se gjatë vitit të kaluar kanë shpërndarë 300 milionë euro, kurse këtë vit 350 milionë të tjera. Ai premtoi se do të vazhdojë mbështetja për të gjitha kategoritë.
“Dogana dhe ATK-ja kanë filluar të funksionojnë me shumë më pak korrupsion, sepse të hyrat prej tyre janë rritur gati tri herë më shumë sesa rritja e ekonomike e vendit tonë, dhe kjo do të thotë se është rritur efikasiteti i doganierëve dhe i agjentëve tatimorë tri herë më shumë sesa është rritur ekonomia, përkatësisht bruto produkti vendor. Pra, vidhet shumë-shumë më pak, por nuk po dua të them aspak, që të mos bien në vetëkënaqësi inspektorët e zyrtarët e tjerë”, ka deklaruar Kurti.
Veç tjerash, derisa ka përmendur kontributin e ministrave dhe deputetëve, Kurti tha se krenohet edhe me punën e ambasadorit Martin Berishaj. Po ashtu, ai në fjalimin e tij ka përmendur edhe ish-shefin e deputetëve Rexhep Selimi, për çka tha se UÇK-ja do të del e pastër.
“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në Kuvendin e Republikës, gjenerali i UÇK-së, që e kishim anëtar kryesie, e kishim edhe shef të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të cilin kemi shumë krenari dhe mall, paçka se çmallemi kur kontaktojmë me të. Por jam i sigurt se shpejt do ta kemi sërish, teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që i janë bërë atij dhe të tjerëve… UÇK-ja ishte dhe është e drejtë dhe do të del e pastër, edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”, theksoi Kurti.
“Kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do të tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve. Sot në botë jemi dëshmitarë që është rikthyer politika fashiste, herë e drejtpërdrejtë, herë e maskuar. Politikë e sponsorizuar nga Moska, nga Kremlini, nga Putin-i. Pikërisht sot, është rikthyer në plan të parë rëndësia e të qenit antifashiste”, ka përfunduar ai.
Kryeministri Kurti u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme parlamentare, e cila përqafon një politikë progresiste, socialdemokrate, aktiviste kundër diskriminimeve, aktive për shtet zhvillimor.