Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për çmimin e produkteve bazike në rast të veçanta të destabilizimit të tregut.
Facebook
Twitter
Email
Projektligji u miratua me 63 vota për, raporton teve1.info.
Kuvendi i Kosovës e miratoi edhe mocionin për procedimin e këtij projektligji dhe Projektligjit për mbështetjen e punëve publike me procedurë të përshpejtuar.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi miratimin në lexim të dytë të këtyre ligjeve të hënën, më 31 tetor 2022, kalimin nëpër komisione përkatëse dhe hyrjen në fuqi të tij më datën 11 nëntor 2022.
Një mocion të tillë e përkrahën të gjithë deputetët e pozitës, me 63 vota, derisa opozita nuk mori pjesë fare në votim.
Projektligj për çmimet e produkteve themelore u miratua pasi tri herë më parë kishte dështuar.
Qeveria e ka arsyetuar këtë projektligj me rritjen e çmimeve dhe dyshimeve për abuzim për disa nga produktet esenciale.
Nga ana tjetër opozita ka kundërshtuar projektligjin duke thënë se cenon ekonominë e tregut të lirë.
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se produktet të cilat do kenë çmim tavan janë drithërat, mielli, gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, si dhe lëndët e drurit për djegie.
Deputetët kanë miratuar edhe projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës ku votuan 63 deputetë, dhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për noterinë. /teve1.info/