Nga data 1 nëntor, të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë, do t’iu shqiptohet masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.
Kështu ka thënë Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.
Sipas saj, nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë ende makina me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.
Por, cilat janë masat që do të marrin autoritetet e Kosovës për këto makina, pas vendimit të 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për targat në tri faza.
Fillimisht Qeveria e ka pasur 31 tetorin si afat të fundit për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS- Republika e Kosovës.
Sipas planit të ri, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë masë qortuese për pronarët e makinave me targa serbe dhe nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ketë gjobë.
Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat provuese, dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa.
Fetoshi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e riregjistrimit të makinës me targa RKS – Republika e Kosovës – deri më 30 mars.
Pas kësaj date, riregjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill, por pa ofruar lehtësira.
Çfarë do të thotë kjo?
Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.
Shembull, nëse një qytetar i Kosovës blen një makinë në vlerë prej 7.000 eurosh, të vitit 2015, deri në 2.000 kubikë, çmimi që i duhet të paguajë në doganë rritet për 2.558 euro.
Ky çmim shtesë nuk do të vlejë për ata që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.
Përveç kësaj, ata do të lirohen edhe nga tarifa për targën, tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit dhe taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Të gjitha këto shërbime kapin vlerën e rreth 57 eurove.
Pra, 2,615 euro më pak për një makinë të tillë.
Zhgënjimi i SHBA-së dhe BE-së
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjimin e tyre se pse Qeveria e Kosovs nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pati thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje dhjetëmujore të vendimit për targat, ndonëse besojnë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për riregjistrimin e makinave, ka qenë “”joligjor dhe i dhunshëm”, dhe se qëllimi i tij kryesor është “shtypja” e ekzistencës së serbëve në Kosovë.
Tensionet rreth targave
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës patën vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.